Luiza Gega po jeton momentin më të mirë në karrierën e saj. Atletja shqiptare ditën e sotme arriti të fitonte medalje ari në garën me 3000 me me pengesa. Gega theu rekord për kohën më të shpejtë për vajza si dhe arriti të merrte fitoren e 11-të në histori.
Pas këtij suksesi të arritur në Lojrat Europiane që po mbahen në Poloni ka folur vetë 33-vjeçarja që shprehet shumë e lumtur, ndërsa tregon edhe çfarë e motivon për të arritur suksese.
“Sigurisht që përveç dy vendeve të para që arrita, ajo që dua të theksoj është që jam jashtë mase shumë e lumtur për frymën që është krijuar nga të gjitha strukturat e sportit në Shqipëri, përfshirë Komitetin Olimpik, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkia, Klubi i Tiranës, Federata.
Unë në këtë aktivitet vërtetë që e kam parë frymën e të gjithë ekipit dhe që mundohen të bëjnë maksimumin. Fryma dhe gjithë ndryshimet e mira që kanë ndodhur janë vërtet për t’u admiruar dhe kjo është ajo që më mban të motivuar dhe të jap maksimumin, sepse ke gjithë këto nxitje që dhe në mënyrë të pavetëdijshme të bëjnë të japësh maksimumin dhe të mundohesh ti bësh krenar. Gjerat kanë ndryshuar, mbështetja e KOKSH, shpërblimet nga Ministria bashkë me Federatën dhe për herë të parë jemi të gjithë njësoj dhe ndihemi më mirë.
Jam shumë e lumtur për pozicionim dhe kam vërtet besim që me këtë frymë kaq të mirë në të ardhmen mund të marrim medalje edhe më të mëdha”, ka theksuar Gega.