
Tirana do të luajë ditën e nesërme sfidën e turit të dytë të Champions League ndaj Crvena Zvezdës. Bardheblutë pas fitores ndaj Dinomo Tibilisit, presin në "Air Albania" kampionët e Serbisë.
Një ndeshje delikate dhe e vështirë për Tiranën pasi përballë do të kenë një skuadër mjaft të fortë. Për këtë takim ashtu si në ndeshjet e tjera, bardheblutë do të kenë mungesën e tifozëve në stadium për shkak të pandemisë së Covid-19. Por edhe pse nuk do të jenë prezent në "Air Albania", tifozën do të mbështesin skuadrën e tyre dhe në stërvijten e djeshme u kanë bërë një surprizë lojtarëve për t'i motivuar akoma edhe më shumë.
Tifo-grupi Ultras Fanatics" kanë shpalosur një banderol për nder të dëshmorit Skerdilajd Llagami. Por cili ishte Skerdilajd Llagami dhe pse tifozët bardheblu shpalosën portretin e tij në prag të sfidës ndaj skuadrës serbe? Gazetari Andi Kasmi i ka kushtar një profil, ish komandant "Shpendit".
Skerdilajd Llagami ishte 29 vjeç kur në Kosovë nisi lufta për liri. I lindur më 31 tetor të vitit 1969, Llagami, punonjës i Forcave Speciale të policisë shqiptare, vendos të lërë detyrën dhe të largohet nga familja për t'u nisur drejt vatrës së konfliktit.
I riu patriot niset drejt Kosovës në marsin e vitit 1999, ku i bashkohet UÇK-së dhe në beteja njihet si komandant "Shpendi". Kontributi i tiranasit për çështjen kombëtare është konkret ndërkohë që familja dhe të afërmit e mësojnë vetëm muaj më vonë vendndodhjen e tij.
Rastësisht në shtypin e ditës emri i Llagamit përmendet nga nja bashkëluftëtar, detaj që informon edhe familjen për fatin e Skerdilajdit.
Me përfundimin e luftës së Kosovës në qershorin e vitit 1999, komandant "Shpendi" zhvendoset në Luginën e Preshevës ku vazhdoi veprimtarinë e tij pranë UÇPMB-së. Nga Lugina është edhe komunikimi i fundit i Llagamit me familjen në Tiranë.
Shqiptarët e Maqedonisë ndërkohë kanë krijuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Asaj i bashkohet edhe Skerdilajd Llagami, i cili vazhdon të ndjekë prirjen e tij kombëtare duke i vënë në dispozicion forcën, energjinë dhe përvojën e vet ushtarake.
Më 29 qershor 2001, komandant "Shpendi" bie pranë fshatit Bogovinë të Tetovës. Djali i vetëm i familjes ndahet nga jeta në moshë të re. Eshtrat e tij pushuan për disa vite në Malet e Sharrit ndërsa sot ndodhen në varrezat e dëshmorëve në Tiranë...