
Vllaznia pret Korabin në Shkodër në takimin e nesër të javës së 13-të të Superligës, që do të startojë në orën 17:00 në "Loro Boriçi".
Për trajnerin Armando Cungu, kjo do të jetë ndeshja më vendimtare e dy fazave të para të kampionatit, sepse duhet të kërkohet me çdo kusht fitorja për të vijuar në rrugën e rezultateve pozitive.
“Përpara kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Korabi duhet vlerësuar, sepse në gjirin e tij ka shumë lojtarë që kanë kontribuar në vite në skuadra të ndryshme. Nuk duhet të nisemi nga renditja që ka kundërshtari ynë i radhës.
Jam munduar ta mbaj ekipin larg euforisë. Ua kam bërë të ditur se duhet të fokusohemi tek takimi me Korabin sepse është shumë përcaktues, madje do ta quaja sfidën më vendimtare të dy fazave të para”, u shpreh Cungu për mediat sot në konferencën për shtyp.
“Një fitore do të thotë shumë për ne, sepse do t’i largohemi përfundimisht zonës të ashtuquajtur të ftohtë dhe normalisht duhet të tentojmë të mbajmë këtë pozicion. Pse jo, në të ardhmen pastaj të shohim edhe për pak më lart, gjithnjë nëse është e mundur.
Fitoren e nesërme prandaj do ta quaja jetike për ecurinë tonë të mëtejshme, për të lënë prapa një grup ekipesh dhe për të vazhduar më të qetë kampionatin”, deklaron ndër të tjera trajneri i Vllaznisë.
“Kalendari për ne në tri ndeshjet e ardhshme është i favorshëm. Kemi tri sfida në fushën tonë dhe kjo duhet shfrytëzuar patjetër.
Por kampionati shqiptar po tregon se çdo skuadër ka ato luhatjet e veta. Edhe Vllaznia ka treguar se mund t’i krijojë probleme çdo ekipi, ashtu si dhe ekipe të tjera dhe këtu ndalem sërish tek Laçi, na krijoi neve probleme. Për të mos na ndodhur më kështu, duhet të jemi shumë serioz dhe të fokusuar tek ndeshja e radhës”, përfundoi Armando Cungu.