Gazment Demi ka cekur edhe një herë temën e Ligjit të Sponsorizimit. Presidenti i Partizanit dhe jo vetëm, shpreson që qeveria të kalojë për miratim draftin që ishte për konsultim publik, në mënyrë që sporti shqiptar të ketë një hov tjetër zhvillimi në vend.
Në një intervistë të dhënë për gazetarin Ernest Koçi, kreu i klubit të kuq flet për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, por thekson se nëse mungon pjesëmarrja në grupe, përfitimet e arrira minimizojnë shpenzimet. Edhe pse si bashkëpunëtor i tij është vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, si drejtor i përgjithshëm i klubit, Edi Rama është ai që ka në dorë fatin e sportit shqiptar.
“Ka dhënë fjalën kryeministri ynë i dashur, ka dhënë që do të bëhet Ligji i Sponsorizimit. Komunikon me presidentin Duka, ne nga ai marrim vesh ndonjë gjë. Ka thënë që është afër. Ishte dhe ministri Gonxhja, qëllova dhe unë aty. Edhe ai tha që është drejt realizimit”, u shpreh ndër të tjera presidenti Gaz Demi.
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama e pati premtuar Ligjin e Sponsorizimit në qershor të 2020-tës, por deri atëherë e deri më sot kanë kaluar thuajse 6 vite. Nëse do të ketë lëvizje sa i përket zhvillimit të këtij kuadri ligjor, sporti shqiptar do të ketë një hov të konsiderueshëm në aspektin ekonomik.
