
Shkolla e vjetër me shkollën e re, kështu ishte përballja Mirel Josa – Orges Shehi në ‘Arenën e Demave’. Eksperienca e teknikut tiranas fiton edhe një herë tjetër. Orges Shehi është padyshim trajneri i momentit, por në përballjet e tij me Josën ka ende shumë punë për të bërë pasi rekordin e ka negativ.
Josa arriti të lexojë si një libër të hapur lojën e Partizanit. Në pjesën e parë e priti në gjysmë fushën e tij, ndërsa në të dytën shfrytëzoi lodhjen fizike dhe psikologjike duke inkuadruar Ledjo Tresën që vulosi përmbysjen e çmendur.
Janë përballur 10 herë si trajnerë dhe 6 i ka fituar Josa, 2 janë ndarë në barazim dhe 2 i ka fituar Shehi. Josa e ka mposhtur me 2 ekipe, Vllazninë e Laçin, ndërsa i ka marrë një barazim edhe me Kukësin.