Taulant Seferi shkëlqeu në fitoren e Shqipërisë teksa shënoi dy herë në suksesin 3-0 të kuqezinjve përballë Çekisë. Ish-sulmuesi i Tiranës mori notë maksimale teksa vulosi fitoren e Kombëtares me dopietën e tij.
Heroi i ndeshjes, ka qenë ditën e sotme në Shkup si i ftuar nga zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Grubi dhe Seferi kanë shkëmbyer një bisedë të këndshme me njëri-tjetrin dhe numri 2 i qeverisë maqedonase e ka përgëzuar sulmuesin shqiptar për paraqitjen e tij.
-POSTIMI I ARTAN GRUBIT-
“Nën emocionet e fitores së madhe të Kombëtares Shqiptare të Futbollit ndaj Çekisë dhe hapit të madh përpara drejt Euro 2024 në Gjermani, me kënaqësi mirëprita sot në takim golashënuesin e dy golave vendimtare, futbollistin nga Kumanova, Taulant Seferin.
E përgëzova Taulantin për paraqitjet e tij të shkëlqyeshme, shpirtin dhe zemrën që i jep fanellës kuq e zi në çdo përballje bashkë me shokët e skuadrës dhe krenarinë që kanë mbjellur në zemrat tona.
Suksesi i kombëtares qëndron në rrënjët e bashkimit! Urova që rrugët e fitoreve të vazhdojnë dhe në nëntor të festojmë arritjen e madhe të kualifikimit mes më të mirëve të Europës!”