Jasir Asani është sensacioni i momentit në Kombëtaren shqiptare. Sulmuesi kuqezi ishte surpriza dhe zbulimi i Sylvinhos në këto kualifikuese duke shkëlqyer me 3 supergola që mahnitën UEFA-n dhe Europën.
Çdo lojtar i Kombëtares që ka derdhur djersë dhe ka sakrifikuar për fanellën kuqezi ka respektin e tifozëve, por nuk ka dyshime që i preferuari i tyre është Jasir Asani. Kjo shihet qartë edhe në ankandin e shitjes së fanellave të përdorura gjatë ndeshjes, një nismë ku FSHF është bërë pjesë.
Fanella e Asanit në ndeshjen me Moldavinë ku u shkrua historia me kualifikimin në Euro 2024 kryeson ankandin me ofertën aktuale që është plot 345 euro. Ka mbetur edhe një ditë nga përfundimi i ankandit dhe shifra pritet të rritet akoma më shumë.
Vendin e dytë e mban kapiten Gjimshiti me 294 euro, për të vazhduar me Bajramin, Asllanin e Ramadanin me 267 dhe 265 euro dy të fundit.