
Milani do të përballet më Interin të shtunën e 16 shtatorit, teksa derbi pritet të jetë i “zjarrtë” si gjithmonë.
Në prag të kësaj sfide, ka folur edhe trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, i cili duket mjaft optimist dhe mundohet të mbajë ekipin e karikuar.
“Duhet të luajmë si Milani, duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë të mundshme. Sezoni i vërtetë fillon nesër dhe ne duam të jemi protagonistë. Skuadra duhet të luajë me më pak furi. Duam të menaxhojmë më shumë ndeshjen dhe të kuptojmë momentet. Të bëhemi një ekip më dominues gjatë 90 minutave”, është shprehur, Stefano Pioli.
“Kam parë vëmendje dhe qetësi të madhe, sidomos tek lojtarët e rinj. Nuk e di nëse e dinë se çfarë i pret nesër, por unë shoh një ekip të qeshur dhe besoj se është mënyra e duhur për t’iu qasur këtyre ndeshjeve. Pastaj kur të arrijnë në ‘San Siro’ do ta kuptojnë se çfarë është derbi. Megjithatë, ne po flasim për lojtarë që kanë përjetuar ndeshje të tilla edhe më parë në karrierën e tyre”, ka thënë më tej tekniku italian.
“Nuk jam aspak i shqetësuar. Këto janë krahasime që ndoshta nesër nuk do të bëjnë diferencën. Unë shpresoj që lojtarët e mi ti’ kenë ruajtur golat për të shtunën. Ne nuk kemi frikë nga asgjë dhe nga askush”, e mbylli fjalën e tij trajneri i Milanit.