Mercedes me në krye Nico Rosberg ka fituar sot garën për Çmimin e Madh të Europës në Formula 1, e cila është zhvilluar në pistën e Bakusë, garë që për herë të parë zhvillohej në Azerbajxhan. Falë këtij triumfi, Rosberg e çon në 24 pikë avantazhin ndaj shokut të skuadrës.
Në këtë pistë ka shkruar historinë piloti gjerman, i cili u kthye te suksesi pas dy garash. Në këtë pistë ai ka dominuar nga fillimi deri në përfundim të garës, duke e bërë monotone nga xhiroja në xhiro, pasi nuk pati surpriza apo parakalime.
Pas Rosberg u ngjit në podium një tjetër gjerman, Vettel me Ferrari, i cili la pas pilotin e Force India, Sergio Perez. Lewis Hamilton që e nisi garën nga vendi i 10, arriti që të rikuperojë 5 pozicione, duke e mbyllur garën i pesti. Ndërsa vendin e katërt e mbajti Kimi Raikkonen, i cili u parakalua nga Perez. Kështu, finlandezi nuk mundi që të ngjitej në podium.