
Roman Abramovic nxjerr në shitje Chelsea. Presidenti i skuadrës angleze është ndër këshilltarët dhe miqtë më të afërt të Putinit dhe si të gjithë oligarkët e tjerë, ai është në panik për shkak të sanksioneve që Anglia ka marrë ndaj Rusisë pasi këta të fundit kanë pushtuar Ukrainën prej disa ditësh. “Blick” bën me dije se në skenë për të blerë aksionet e skuadrës angleze ka dalë Hansjoerg Wyss, miliarderi zviceran, i cili ka konfirmuar se ka marrë një ofertë nga Abramovic për të blerë klubin.
"Së bashku me njerëz të tjerë, të martën mora një ofertë për të blerë Chelsean nga Roman Abramovich. E sigurt është se nëse do të bleja Chelsean, nuk do ta bëja i vetëm. Nëse po, do të jetë së bashku me 6-7 investitorë të tjerë. Abramovich po kërkon shumë tani. Chelsea i detyrohet atij 2 miliardë funte, por klubi nuk ka para. Kjo do të thotë se kushdo që blen Chelsean do të duhet ta kompensojë atë. Gjithsesi, nga sot ne ende nuk e dimë çmimin e saktë të shitjes. Më duhet të shqyrtoj me kujdes kushtet”, u shpreh miliarderi zviceran për “Blick”.
Po kush është Hansjoerg Wyss? 86-vjeçari Wyss është një filantropist në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe shkencës. Pas studimeve në Harvard, ai punoi në industrinë e tekstilit dhe për prodhuesin e makinave Chrysler. Në vitin 1970 ai u takua me një nga themeluesit e Synthes, një kompani udhëheqëse e pajisjeve mjekësore më të avancuara. Ai u bë një nga krijuesit e degës amerikane të grupit përpara se të merrte kontrollin e plotë dhe ta shiste atë në vitin 2012. Sipas Forbes, pasuria e tij vlerësohet në 6 miliardë dollarë . Shumë aktiv në mbrojtjen e planetit, në vitin 2018 ai njoftoi për Neë York Times se donte të dhuronte një miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme për kauzën.