
Sot në orën 21:00 luhet finalja e Conference League mes Romës dhe Feyenoord. Arena Kombëtare do presë për herë të parë një ndeshje të kësaj rëndësie në futbollin ndërkombëtar.
Për konfliktet e ndodhura dje ka shkruar dhe La Republiça. Një prej tyre ishte mes shqiptarit dhe holandezëve në zonën e 9-katsheve. Pronari i lokalit është shprehur se gjithçka ka nisur pasi shqiptari i është drejtuar tifozëve të Feyenoord me brohoritje të Romës.
Ky ishte vetëm fillimi, pasi aktet e dhunës u shtrinë më pas në rrugën “Mustafa Matohiti” me holandezët ndaj policisë dhe në zonën e Vasil Shantos, kësaj here nga italianët me policinë.
“Pavarësisht tentativës sonë për të shuar gjakrat mes tre shqiptarëve, ka lindur një sherr edhe me tifozët holandezë. Ndërkohë nuk ishte holandez ai që qëlloi me karrige pas koke shqiptarin. Por miku i tij shqiptar i cili gaboi shënjestër”, u shpreh pronari i lokalit.