
Edicioni i Kupës së Botës "Katar 2022" mund të luhet për herë të parë pas 24 vitesh me 48 ekipe. Vetë presidenti i FIFA-s Gianni Infantino e dha lajmin e papritur në Konferencën Ndërkombëtare të Sporteve në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai theksoi se ky ndryshim historik mund të aplikohet 4 vite përpara Botërorit të 2026.
"Kupa e Botës do të nisë në Katar me 32 ekipe. Por, nëse ne mund të shtojmë numrin e përfaqësueseve pjesëmarrëse në 48 ekipe, kjo është arsyeja nëse ne mund ta zbatojmë këtë iniciativë që në Kupën e Botës së 2022. Nëse mund të shtojmë në listë disa prej shteteve që janë pjesë e Gjirit Persik, që janë shumë afër gjeografikisht me Katarin për të organizuar disa takime, kjo mund të jetë shumë e dobishme për rajonin dhe të gjithë botën.
Ka tensione politike të mëdha në këtë rajon dhe është detyra e liderëve përkatës për t'u përballur me këto probleme, por është më e lehtë të flasësh për një projekt të përbashkët futbollistik sesa për ccështje të ndërlikuara.
Nëse mund të ndihmojmë njerëzit e këtij gadishulli dhe vendet e tjera të botës për të zhvilluar futbollin dhe të japim mesazhe pozitive për të gjithë globin, atëherë duhet ta provojmë këtë gjë", deklaroi në konferencën e fundit shefi i qeverisë së futbollit botëror Infantino.