Apolonia u nis me pretendime të mëdha në fillim të këtij sezoni, teksa fierakët ndërtuan një skuadër që mund të pretendonte për vendet e para të Kategorisë së Parë, por kur janë zhvilluar vetëm 8 ndeshje, skuadra renditet e 11 me vetëm 8 pikë.
Klevis Dalipi mori timonin e fierakëve, por u largua vetëm pas disa javëve dhe vendi i tij përkohësisht iu besua Mariglen Kule. Edhe me këtë të fundit rezultatet nuk kanë qenë ato që duhej, dhe tashmë drejtuesit fierakë kanë gjetur edhe timonierin që mund t’i besojnë “çelësat” e ekipit.
Sipas informacioneve bëhet e ditur se Besmir Shabani është i përzgjedhuri i drejtuesve, të cilët kanë nisur edhe bisedimet për të arritur marrëveshjen mes tyre, ndërsa kujtojmë se aktualisht 37-vjeçari është në krye të Labërisë në Kategorinë e Dytë. Në javët e ardhshme pritet të arrihet edhe marrëveshja mes tyre.