
Barcelona është duke menduar që të bëjë një revolucion të vërtetë këtë verë. Me futbollin e ndalur për shkak të Covid-19, katalanasit po mendojnë një rinovim të moshës si dhe shitjen e lojtarëve që nuk kanë qenë në pritshmëritë e klubit. Gati gjysma e ekipit do të largohet, teksa nuk mungojnë as emra yjesh.
Kështu, e përditshmja "Sport", një media pranë Barcelonës raporton se në listën e atyre që duhet të sistemohen janë emra si Rakitic, Vidal, Griezman, Coutinho apo Umtiti. Mbrojtësi edhe pse titullar, nuk ka qenë në formë të mirë. Mesfusha pritet të ketë shumë ndryshime, me Rakitic, Griezman dhe Vidal që presin ofertat.
Një çështje është ajo e Coutinho, që këtë sezon vijon i huazuar te Bayern Munich. Ende nuk dihet nëse bavarezët do paguajnë kartonin e tij, në të kundërt Barcelona do e nxjerrë në merkato. Carlos Alena dhe Neto shihen të larguar në fundin e këtij sezoni.