
Nesër në mbrëmje luhet ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndeshja që do zhvillohet në "Loro Boriçi" të qytetit të Shkodrës, nuk mbart me vete vetëm aspektin sportiv por edhe atë kulturor, ekonomik e shoqëror.
Marrëdhëniet e vendit tonë me Italinë kanë qenë gjithmonë të mira. Me bashkëpunime dypalëshe që janë ripërsëritur herë pas here. Por në qytetin e Shkodrës kjo është një ndeshje që është pritur me një dëshirë të jashtëzakonshme prej vitesh dhe fati deshi që ky takim historik të luhej pikërisht në Shkodër.
Historia e qytetit të Shkodrës është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit italian. Që në kohët e lashtësisë ku lidhjet e Shkodrës me Venedikun, Raguzën apo edhe Napolin kanë qenë shumë të thella. Një histori e pasur me marrëveshje politike, shkëmbime tregtare, bashkëpunime ekonomike, por kryesisht një histori e bërë nga njerëz që kanë lëvizur nga njëri vend në tjetrin. Historia e Shkodrës në lidhje me Italinë vijon me të shquarin Marin Barleti, që është një prej shembujve më të mirë të marrëdhënieve të shkëlqyera me Italinë, sidomos me Venecian e Triesten.
Historia e "dashurisë" mes Shkodrës e Italisë vazhdon me të madhin, Pietro Marubi. Një revolucionar italian, i cili në Shkodër u prezantua me emrin Pjetër dhe që pruri fotografinë e parë në Shkodër rreth 160 vjet më parë. Sot gjurmët e italianëve ende janë të forta në qytet. Shikon lagje me arkitekturë tipike italiane dhe të ruajtura me fanatizëm e dashuri nga shkodranët.
Nuk janë vetëm ngjarjet historike e kulturore që lidhin Shkodrën me Italinë por edhe ato sportive. Në vitin 1982 kur një Paolo Rossi i dhuroi Italisë kampionatin botëror shumë tifozë italianë u gëzuan në Shkodër. Gëzimi ishte aq i madh sa shumë djem të asaj periudhe morën emrin Paolo (Rossi) e për të vijuar me emra të tjerë italianë si Roberto (Baggio), Françesko (Totti) , Alesandro (Del Piero) . Italianët të kthyer në idhuj në qytetin ku lindi futbolli në Shqipëri.
Një ndeshje që pritej pafund nga shkodranët të cilët më në fund do mund të "prekin" ndoshta për herë të fundit, Buffonin. Një nga idhujt që i ka shoqëruar ata në një periudhë 20 vjeçare. Një ëndërr e plotësuar për të gjithë shqiptarët por sidomos për shkodranët që në fund sido që të shkojë ndeshja do thonë: "Rroftë Shqipëria, Viva l'Italia".
"Historia dhe miqësia mes dy popujve është ndërtuar ndër vite dhe në veçanti me qytetin e Shkodrës" kështu shprehej para disa vitesh Konsulli i Nderit, Vito Antonio Stigliano gjatë një takimi në Shkodër.
[gallery columns="1" size="full" ids="154403,154404,154405,154406,154407"]