
Jurgen Nagelsmann u largua pak muaj më parë nga Bayern Munich, ndërsa po vazhdon të shqyrtojë me imtësi të gjitha ofertat që shkojnë në drejtim të tij. Ish-timonieri i bavarezve ishte pranë marrëveshjes me Chelsea, por në fund nuk u konkretizua.
Në lidhje me këtë situatë ka folur agjenti i Nagelsmann, Volker Struth, i cili ka treguar se ka bërë mirë që ka refezuar ofertën e Bluve të Londrës.
“Mund të konfirmoj se Chelsea na ka telefonuar shpejt, menjëherë pas largimit të Nagelsmann nga Bayerni. Patëm disa biseda telefonike, por vendosëm që trajneri të mos pranonte. Ishte një vendim i mirë, Chelsea është një klub në ujëra të trazuar. Ata kanë pritshmëri që duhet të përmbushen pas qindra milionave të shpenzuar. Julian ishte zgjedhja e tyre numër një, ai do të ishte në Londër nëse do të donte”, ka theksuar Struth.
Kujtojmë se Chelsea ka mbyllur gjithçka me Mauricio Pochettinon, i cili do të marrë frenat e ekipit në fund të sezonit.