
Nëse sot në mbrëmje del fitues kombinimi i rezultateve që favorizon Shqipërinë për të kaluar në fazën tjetër, lojtarët e saj kanë premtuar se do të bëjnë diçka shumë të rrallë. Të gjithë ata futbollistë, të cilët do të luajnë titullarë në ndeshjen tjetër, do të zbresin në fushë me kokën të lyer me ngjyrë të kuqe, ashtu si ajo e uniformës sonë të parë. Ky është premtimi i kuqezinjve, që, siç shkruan “Panorama Sport”, ka pasur si iniciatorë dy mbrojtësit Andi Lila dhe Ansi Agolli. Shanset për t’i parë lojtarët tanë të luajnë të gjithë me kokë të kuqe në Francë janë të pakta, megjithatë duhet të presim. Ka ndodhur shpesh, që skuadra të ndryshme kanë lënë shenjë në kompeticione madhore me veprime të tilla, siç është edhe rasti i Rumanisë në vitin 1998, kur ata e lyen kokën të gjithë me ngjyrë të verdhë, si ngjyra e flamurit të tyre.