
Pavarësisht përpjekjeve dhe optimizmit, që drejtuesit aktualë të Vllaznisë po mundohen të përcjellin tek opinioni futbolldashës shkodran, ky i fundit nuk mund të ketë skuadrën që dëshiron edhe sezonin e ardhshëm. Eshtë e pamundur. Nuk mjafton vetëm dëshira dhe përpjekjet e disa personave, sepse me bashkinë e qytetit në krye Vllaznia nuk mund të jetë kurrë ajo që tifozi shkodran kërkon. Duket qartë edhe me zhvillimet e fundit, ku klubi ka pasur vështirësi edhe për të rinovuar me lojtarët e sezonit të kaluar, madje edhe me vetë shkodranët.
E NJËJTA HISTORI – Kjo verë duket një fotokopje e atyre të viteve të fundit për skuadrën kuqeblu. Përforcime me kosto të ulet, duke synuar kryesisht tregun e Malit të Zi dhe tek-tuk ndonjë element të kampionatit tonë, por jo nga ata që bëjnë diferencën. Zvarritje dhe burokraci. Përashikimi? Me shumë mundësi do të kemi një Vllazni, që do të përpëlitet në katet e poshtme të Superligës, që thjesht arrin të mbijetojë. Me bashkinë në krye përfundimi është i ditur dhe asnjë nuk e ndryshon këtë fakt, pavarësisht deklaratave të drejtuesve të saj për një fond të garantuar dhe një Vllazni kompetitive. Kush mendon ndryshe, gënjen veten. Vllazninë e madhe mund të kthejë vetëm një president apo një grup sponsorësh dhe për momentin tifozëve kuqeblu u mbetet vetëm të shpresojnë të ndodhë një gjë e tillë.