
Nga Bashkim Tufa
I gjatë, i veshur me shije dhe elegancë, ai ngjall kureshtje e simpati për cilindo kalimtar që e has nëpër rrugët e Tiranës. Të rinjtë e sotëm do ta admirojnë për staturën fizike prej atleti. Më të rriturit, ata që kanë patur privilegjin ta shikojnë, ndiejnë nostalgji për klasin dhe magjinë e dhuruar prej tij me topin e koshit.
Thinjat e pakta do ta tradhëtojnë, por askush nuk do ta besojë, se personazhi ynë, Agim Fagu, mbretin e basketbollit shqiptar, sot është 70 vjeç. Agimi u lind më 16 shtator të vitit 1947, në një familje autoktone tiranase. Pasionin për sportin, nuk do ta kërkonte në rrugë, si shumica e fëmijëve të tjerë. Ai, atë e kishte në shtëpi, në ADN-në e trashëguar i jati, ish-kapiteni dhe mbrojtësi i shquar i Partizanit dhe ekipit kombëtar, Besim Fagu. Prej tij, do të merrte edhe mësimet e para, për punën dhe sakrificat që kërkon sporti. Dhe fillimet e karrierës sportive të Gimit, do të nisin pikërisht me futbollin, për ta braktisur shpejt atë dhe për t’iu përkushtuar më pas basketbollit, sport, i cili e kishte përthithur me magjinë gjatë lojëve që zhvillonte me shokët në fushën e gjimnazit “Qemal Stafa”.
Talenti i spikatur, konstrukti fizik, do të bënin që në moshën 16-vjeçare, Agimi të bëhej pjesë e skuadrës së Partizanit. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, tradita familjare do të bënte të sajën… Në vitin 1963, djaloshi i klubit të kuq, do të përfshihej në radhët e ekipit kombëtar në Lojërat e Ganefos, si një nga të rinjtë më me perspektivë dhe të talentuar, nga i cili basketbolli shqiptar do të priste mjaft. Dhe Agimi nuk zhgënjeu… Përgjatë 14 viteve që u aktivizua me Partizanin, ai koleksionoi 9 tituj të kampionit kombëtar, fitoi 7 Kupa të Shqipërisë, ishte pjesëmarrës në 8 edicione të Kupave të Europës, ndërkohë që përpos të të tjerave, në Turneun Olimpik të Holandës më 1972 dhe në Kampionatin Europian në Gjermani në vitin 1974 me ekipin kombëtar ka fituar titullin e shënuesit më të mire.
Në biografinë sportive të Agim Fagut nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin si Mjeshtër Sporti në vitin 1967 dhe titullin më të lartë sportiv për kohën në vendin tonë, Mjeshtër i Merituar i Sportit, akorduar vetëm dy vite më pas. Pasuria sportive e mjeshtrit Fagu do të ishte e paplotë pa përmendur faktin, se Ggimi ishte edhe 10 herë fitues i anketës “10 sportistët më mire të vitit”, organizuar nga gazeta “Sporti Popullor”, çmim tepër i lakmuar nga të gjithë sportistët shqiptarë në ato vite. Po cili ishte sekreti dhe loja e këtij basketbollisti të madh? Eleganca në driblim, trehapëshi vrastar, shpejtësia në veprime, saktësia, gjuajtjet me kërcim, qëndrimi në ajër më shumë se kundërshtarët, ishin disa nga cilësitë më të spikatura sportive të talentit të Agim Fagut, i cili ishte shndërruar në një idhull për të rinjtë shqiptarë që mbushnin plot shkallët e pallateve apo fushave sportive për çdo javë, kur luante ai dhe Partizani.
Përpara magjisë së lojës së tij, përpara kësaj pasurie titujsh dhe trofesh, përpara kësaj karriere të pasur sportive, edhe unë që jam gazetar sportiv, në këtë këto minuta të limituara televizive, e kam të vështirë të them gjithçka për figurën e Agim Fagut. E megjithatë, unë do të qëmtoj dy episode që tregojnë shumë… Ishte viti 1968. Partizani do të debutonte për Kupën e Kampioneve të Europës. Shorti do ta përballte me kampionen e Italisë, ekipin e Oransodës së Kantusë. Për herë të parë pas çlirimit të vendit, shteti monist i asaj kohe, lejoi të vinte në Shqipëri një skuadër italiane, e cila në gjirin e saj kishte edhe dy lojtarë amerikanë.
Më 18 dhjetor, pallati i sportit Partizani, sot Asllan Rusi, ishte mbushur me plot 5000 tifozë ndonëse kapaciteti i tij ishte 3500 vende. Trajneri serb i Oransodës së famshme, Borisllav Stankoviç, që më pas do të zgjidhej edhe president i FIBA-s, zbriti në fushë me dy amerikanët Lyn (2.07 cm. i gjatë), Bërxhes (2.02), dy lojtarë argjentinas, si dhe italianin e vetëm, Rekalkatin që luante topin dhe ishte kampion i Europës. Përballë këtyre gjigandëve, trajneri ynë i Partizanit, Astrit Greva, i ndihmuar nga Njazi Lleshi, do të nxirrte në parket një skuadër thuajse të rinjsh: Agim Fagun 21 vjeç, Vladimir Çuçin 20, Astrit Hutkën 19, Edmond Mojën 22, Guxim Bekteshin 19 dhe Spartak Boshnjakun 18 vjeç, si dhe Dodan Përmetin, Agim Lahin, Vladimir Gjinin, Besnik Pëllumbin dhe Kujtim Kasmin.
Më i madhi prej tyre ishte Nikolin Pali, vetëm 25 vjeç. Përfundimi i takimit ishte befasues, 73-73, barazim ky që tronditi jo vetëm kampionët e Italisë, por shkaktoi lëkundje edhe në mbarë Europën. Ylli dhe heroi i asaj mbrëmjeje të paharruar për basketin shqiptar, ishte i talentuari Agim Fagu, i cili shënoi 48 pikë, aq sa shënonte edhe amerikani Xhabar, legjenda e NBA-së. Dhe të mos harrojmë, se në atë kohë koshi me vlerë 3-pikësh nuk njihej. Pas ndeshjes, presidenti i FIBA-s, Uilliam Xhons, që asistonte në këtë takim pallatin Partizani, ka zbritur dhe ka takuar Fagun. Ai e ka përgëzuar për lojën e tij talentin shqiptar dhe i ka dhuruar medaljen e FIBA-s, e cila u jepej vetëm lojtarëve shumë të dalluar në botën e basketbollit botëror. Po atë vit, Agim Fagu, do të përzgjidhej në 5-shen e lojtarëve më të mirë të Europës, skuadër që do të zhvillonte edhe një takim simbolik me ekipin kampion të kontinentit tonë. Ftesa në adresë të Fagut mbërriti në Shqipëri, por kuptohet, shteti i asaj kohe nuk do ta lejonte një gjë të tillë. Ardhja së Oransodën në Tiranë, ishte shumë për të…
Në fillim të viteve ’70, miqësia shqiptaro-kineze ishte në kulmin e saj. Partitë tona, PPSH dhe PKK, ishin shpallur motra. Nga Kina në atë kohë, erdhi në Shqipëri si ndihmë, një sasi e konsiderueshme baze materialesh sportive, si topa, këpucë dhe veshje sportive, që natyrisht patën ndikimin e tyre në sportin tonë. Topat me lidhëse, këpucët me taka me gozhdë, veshjet dhe kostumet sportive primitive, u zëvendësuan me ato kineze më moderne dhe të kohës.
Në suazën politike të dashurisë shqiptaro-kineze, Shqipëria dërgoi në Pekin trajnerin e shquar Loro Boriçi për t’u mësuar kinezëve futbollin. Ndërkaq, edhe takimet e ndërsjellta midis dy vendeve në lloje të ndryshme sporti u intensifikuan, për të shkëmbyer përvojë dhe mësuar nga njeri-tjetri. Veç duhet thenë se këto takime, më shumë se garë, kishin karakter politik dhe ktheheshin ne manifestime miqësie. Ato ose duhej të përfundonin në barazim, ose nëse në takimin e parë kishte fituar Shqipëria, në të dytin patjetër duhej të fitonte Kina.
Ndryshe cënohej miqësia dhe ngjarja analizohej politikisht. Kjo edhe në lojërat me top, ku Shqipëria ishte superiore cilësisht ndaj kinezëve… Në vitin 1973, kombëtarja jonë e baskebollit të meshkujve, u nis për një turne miqësor në Kinë. Ndryshe nga herët e tjera, ambasadori ynë në Pekin, Behar Shtylla, nuk u tha basketbollistëve tanë klishenë e mëparshme, por i porosi të të luajnë mirë, pse jo edhe në fitonin nëse mundeshin… Lojtarët tanë u habitën, por njëherësh u ndienë edhe të çliruar. Mirëpo gjatë këtij takimi, ndodhi një incident, pasojat e të cilit më pas do t’i vuante personazhi ynë Agim Fagu. Në një moment kur skuadra jonë kombëtare po udhëhiqte dhe dominonte ndeshjen, lojtarët kinezë ishin të nervozuar. Njëri prej tyre, e goditi ashpër fizikisht Fagun gjatë një trehapëshi, duke e rrëzuar tek spektatorët. Mjeshtri ynë, i dëmtuar, por edhe i nevrikosur për veprimi i rivalit, rezufoi t’i japë dorën lojtarit kinez dhe shau në gjuhën shqipe.
Organizatorët e ndeshjes nxituan te qendra e zërit të thonë, se veprime të tilla, nuk e cënojnë aspak miqësinë shqiptaro-kineze. Por nuk thonë kot se dardha e ka bishtin prapa. Pasojat Agim Fagu do t’i ndiente sapo zbriti në aeroportin e Rinasit. Aty, pa shkuar në shtëpi, e qethën pasi i kishte flokët të gjata, çka ishte në kundërshtim me normat e moralit tonë komunist. Më pas ngjarja e Pekinit do të analizohej politikisht dhe Gimit tonë t’i hiqeshin titujt sportive Mjeshtër Sporti dhe Mjeshtër i madh i Sportit. Ndërkohë do të porositej redaksia e gazetës Sporti Popullor, që Agim Fagu të mos përfshihej në anketën e “10 sportistëve më të mirë të vitit”. Më pas, më duket pas prishjes me Kinën, titujt sportive të hequr padrejtësisht atë kohë, iu rikthyen përsëri.
Në vitin 1978, kur ishte vetëm 31 vjeç, pas një konflikti dhe mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit Partizani, Gimi, papritur i dha lamtumirën parketit dhe topit të koshit. Askush nuk u shqetësua, shtypi i kohën nuk shkruajti asgjë për këtë ngjarje… Kështu, në heshtje u mbyll “epoka e artë” e Agim Fagut, të cili, koha nga idhull, e shndërroi në mit, në një legjendë të papërsëritshme të basketbollit shqiptar. Më pas jeta e Gimit hyri në hullinë e rutinës së njeriut të zakonshëm. Fillimisht vijoi punën si mësues i gjuhën angleze në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë, për të kaluar në Ministrinë e Tregëtisë së Jashtme, për ta mbyllur karrierën e tij të punës si diplomat në Ministrinë e Jashtme, pas mandatit si ambasador i Shqipërisë, në Mbretërinë e Britanisë së Madhe deri në vitin 2005.
Agim Fagu është përfshirë edhe në jetën politike të vendit si pjesë e Partisë Socialiste, por pa qenë anëtar i saj, pjesë për të cilën ne nuk duam të flasim në këtë emision sportiv. Edhe pse ai tani po bën gati 40 vite që nuk shkel në parketin e koshit, pasioni për sportin ka mbetur ende i gjallë tek Agim Fagu. Edhe pse në të ashtuquajturën “moshë e tretë”, ai nuk i rresht përpjekjet e tij për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen cilësore të sportit shqiptar.
Në vitin 2009, Gimi kandidoi dhe u zgjodh president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, detyrë të cilën e ushtroi për 3 vite, deri sa në shtator të vitit 2011, në asamblenë e radhës dha dorëheqjen e revokueshme nga funsionet e tij si president, për shkak të papajtueshmërisë së mendimeve dhe ideve të tij me anëtarët e komitetit ekzekutiv të KOKSH-it. Aktualisht, që nga viti shkuar, Agim Fagu është president i Shoqatës Partizani Basket. Gëzuar ditëlindjen legjenda e koshit Agim Fagu! Jetë të gjatë dhe 100 vite të tjerë, është edhe urimi ynë në këtë përvjetor të 70-të tëndin…