Bruno Telushi ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit që spikati ditën e djeshme në ndeshjen kundër Teutës. Mesfushori vlonjat ishte autor i golit të parë për 15-herë kampionët e vendit. Por, në fund të pjesës së parë ai u zëvendësua pas një përplasje me kundërshtarët. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë, por duhet një trajtim më i specializuar për t'i ardhur në ndihmë "ushtarit" të kuq. Kësisoj u transportua në një nga spitalet e kryeqytetit.
Burime të besueshme pranë tij tregojnë se fillimisht gjendja ishte alarmante. Për shkak të përplasjes, atij i ishte krijuar një masë ajri në mushkëri duke i krijuar vështirësi në frymëmarrje. Pas një ndërhyrje të vogël gjendja e tij u stabilizua. Megjithatë stafi mjekësor vendosi ta mbante gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme për shkak të domosdoshmërisë së maskës së oksigjenit. Fatmirësisht "luftaraku" i mesfushës së kuqe ia hodhi me aq dhe pritet të dalë shumë shpejt nga spitali për t'iu bashkuar sërish skuadrës në stërvitje.
Newsport.al kontaktoi me bashkëshorten e tij, Almën e cila shkurtimisht u shpreh: "Dje në ndeshje i ndodhi një komplikacion në frymëmarrje dhe iu desh të bënin një ndërhyrje të vogël. Iu krijua një masë ajri në mushkëri nga përplasja. I vendosën një tub të vogël për t'ia nxjerrë", përfundoi ajo. Ndërsa në rrjetet sociale i bënte një dedikim emocionues: "Ty s'të mposht dot asgjë".
