Kastrioti u mund 3-1 nga Partizani, në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore. Menjëherë pas ndeshjes për mikrofonat e Supersport, ka folur trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu. Ndreu shprehet i pakënaqur për atë që pa në fushën e lojës, teksa thekson se mungon cilësia. Tekniku thotë se ajo që ndikoi sot, përveç kësaj, janë edhe mungesat, por edhe kartonat. Në fund, “timonieri” pohoi se ekipi tanimë rrezikon seriozisht rënien një kategori më poshtë.
“E nisëm mirë lojën. Ka disa ndeshje që nuk po menaxhojmë dot. Kemi mungesë të lojtarëve cilësorë. Ka futbollistë që nuk e menaxhojnë lojën për 90 minuta. Partizani ka më shumë cilësi se ne dhe arriti të na mundë. Unë e kam thënë edhe herë tjetër që ka disa ndeshje që jemi keq. Pastaj, ndikon edhe ana psikologjike. Duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të mbrohemi mirë dhe më pas të dalim. Shpresa është që të përmirësohemi por duhet shumë punë.
Nuk janë vetëm 2 lojtarë që mungojnë. Ne jemi ekip me nivel mesatar dhe në momentin që na mungojnë disa lojtarë, arrijmë të dalim në sulm me shumë vonesë. Me këta djem të rinj, nuk ia dolëm të mbajmë topin. Nuk po e bëjmë më atë lojën e rrjedhshme. Sulmi është pika jonë kryesore. Ne jemi mangut shumë me lojtarët. Kemi pasur lojtarë me kartona, e nëse do merrnin kartona, do merrja lojtarë nga u21. Vetëvetiu luan me ndrojtje, nëse rrezikon. Ne jemi të rrezikuar më shumë se kurrë. Jemi më të rrezikuar se të gjitha” – tha ai.