
Tekniku i Milanit, Stefano Pioli ka folur në konferencën për shtyp në prag të çerekfinales së dytë ndaj Napolit në “Diego Armando Maradona”. Pioli shpalosi planin për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Milani fitoi ndeshjen e parë në “San Siro” me rezultatin 1-0 me golin e Bennacer.
“Jemi shumë të përqëndruar, shumë të motivuar dhe tejet të vendosur, e dimë se do të kemi një ambient krejtësisht tjetër krahasuar me herën e fundit të Napolit, por kjo na jep motiv dhe energji të mëtejshme.
Do të ndryshoni ndonjë gjë?
Diçka do të ndryshojë në këtë lojë si për ne edhe për ata, por secila ndeshje bën historinë e vet. Sigurisht që është e çuditshme të luash tre ndeshje në pak ditë kundër të njëjtit kundërshtar, por do të jetë një përballje emocionuese si çerekfinale e Champions League, sepse të jep mundësinë të shkosh në mesin e 4 më të mirëve në Evropë.
A është Milani favorit?
Besimin e kemi dhe duhet ta kemi, do të jetë një ndeshje e nivelit të lartë në shumë aspekte të ndryshme. Ne duhet të besojmë në veten tonë, por jo për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë, por sepse i njohim vlerat tona. Ne kemi një avantazh të vogël, por Napoli këtë vit në Champions League ka shënuar mesatarisht 3 gola për ndeshje kundër kundërshtarëve shumë të fortë, ne duhet ta meritojmë kualifikimin.
Çfarë ndryshon me Osimhen?
Loja pa top është një punë skuadre, duhet bërë me vendosmëri dhe komunikim, me presion të lartë ndaj kundërshtarit për të lehtësuar detyrën edhe të shokëve të tjerë të skuadrës.”