
Gonzalo Higuain do ta mbyllë nesër eksperiencën e tij të shkurtër me Milanin. Sulmuesi i huazuar te Milani nga Juventusi do të luajë nesër takimin e fundit në finalen e Superkupës së Italisë me Juventusin në tokën e Arabisë Saudite përpara se të prezantohet si futbollisti më i ri i Chelseat.
31-vjeçari e ka vendin e garantuar te "Blutë" e Londrës, të cilët po përgatiten të transferojnë Alvaro Moratën. Sinjalet e "divorcit" me Milanin të Higuain u dhanë me kohë nga tekniku i "Djallit" Gennaro Gattuso, i cili pranoi se nuk mund të ndikojë në zgjedhjet e lojtarëve të tij.
" Kur një lojtar vendos të shkojë, atëherë le të shkojë. Nëse ai nuk është i lumtur këtu, unë nuk mund të futem në kokën e tij. Unë s'i garantoj të ardhmen askujt" ka thënë Gatusso.
Higuain luajti këtë pjesë të parë të sezonit me Milanin 20 ndeshje duke realizuar 6 gola.