
Si sot 100 vite më parë, më 4 gusht 1922, lindi në Shkodër legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi!
Padyshim, figurë e jashtëzakonshme dhe personaliteti më i madh në historinë e futbollit shqiptar e një nga njerëzit me më shumë kontribute në zhvillimin e futbollit në vendin tonë me një karrierë të lavdishme.
Loro kreu shkollën në Kolegjin Saverian në Shkodër, një institucion arsimor që i përkiste kishës katolike që kishte arsimim të përgjithshëm normal. Spikati që në moshën 15-vjeçare për aftësitë e tij teknike dhe u bë menjëherë pjesë e Vllaznisë, ku luajti për disa sezone.
Më pas, u transferua në Itali me vëllain e tij më të madh, Markun, dhe u regjistrua në fakultetin e drejtësisë në Romë për të ndjekur studimet në fushën e jurisprudencës. Në vitin 1941 Loro u bë pjesë e klubit të Lacios dhe pas një sezoni të parë të vështirë arriti formacionin e ekipit të parë duke luajtur 19 ndeshje e shënuar 6 gola në kampionatin elitar të Italisë. Asokohe në Serinë A ishin edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë që luanin me klubet italiane si Riza Lushta i Juventusit, Naim Kryeziu i Romës, Hilë Staka i Bolonjës apo Sllave Llambi me Interin.
Me përfundimin e luftës Loro Boriçi vendosi të kthehej në Shqipëri dhe u transferua te Vllaznia, ku u shpall dy herë kampion më 1945-n dhe 1946-n. Debutimi i tij me Kombëtaren shqiptare do të vinte në miqësoren ndaj Malit të Zi, të luajtur në gusht të vitit 1946. Loro Boriçi ishte protagonisti kryesor dhe kapiteni që udhëhoqi Kombëtaren e Shqipërisë në fitoren historike të Ballkaniadës së vitit 1946 në Tiranë, duke mposhtur skuadra me emër si Rumania e Bullgaria.