
Fatmir Sheholli, një figurë kontraverse në Kosovë, është arrestuar nga Policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës nën dyshimet se është përfshirë në akte spiunazhi të Serbisë kundër Kosovës.
Ky arrestim vjen në prag të ndeshjes së futbollit, ku Serbia do të presë Shqipërinë në stadiumin e Leskovacit. Ndërkohë që i arrestuari, Sheholli njihet si analist por dhe mbajtës i detyrave publike.
"Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm", shkruan ministri Xhelal Sveçla.
Ai thotë se Fatmir Sheholli ka bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën e Kosovës dhe progresin e saj. Sipas Sveçlës, organet kompetente duhet ta trajtojnë këtë rast me seriozitet të lartë.
"Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre.
Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale", shkruan ministri Xhelal Sveçla.