
Në futbollin italian, çështja kryesore e javës është Juventus dhe tërmeti i drejtuesve. Agnelli dhe ekipi i tij dhanë dorëheqje dhe tashmë Zonja e Vjetër është në qiell të hapur. Mbi të gjitha, një çështje mjaft e nxehtë është ajo e investigimeve në dosjet e transferimeve që mund të sjellë një dënim fatal për Juventus.
Në publikimin e përgjimeve, është përmendur edhe emri i Marash Kumbullës. Futbollisti shqiptar shpërtheu me Hellas Veronën në vitin 2018 dhe zgjoi interesin e shumë klubeve para se të transferohej te Roma. Por, mund të ishte një histori ndryshe pasi Juventus ishte shumë pranë mbrojtësit.
Kumbulla ishte bërë pjesë e listës finale të objektivave të merkatos dhe në repartin e mbrojtjes ishte vetëm ai dhe Merih Demiral. Në fund drejtuesit bardhezinj vendosën të transferonin mbrojtësin turk.