
Ditën e premte të gjithë tifozët shqiptarë anembanë botës do të “mbërthehen” para TV për të ndjekur ndeshjen mes Zvicrës së shqiptarëve dhe Serbisë. Një takim shumë i rëndësishëm për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin pasi kërkohet kualifikimi në fazën tjetër të Kupës së Botës.
Të gjithë e kujtojmë atë ndeshje fantastike nga dy futbollistët shqiptarë, atje ku e përmbysen rezultatin me golat e tyre dhe festuan me shqiponjën dykrenare. Provokimet nga ana e serbve nuk kanë munguar, teksa në FIFA ka nisur procedurat disiplinore për Federatën Serbe për shfaqjen e hartës së Kosovës brenda flamurit serb.
Taulant Xhaka, vëllai i Granitit, ka dhënë një intervistë për medien zvicerane “Blick”, ku tha se e ka këshilluar Granitin që të jetë i qetë në këtë takim.
“Të jem i sinqertë, nuk u kënaqa me shortin, për të gjithë të kaluarën me Granitin. Por, kam folur me Granitin për këtë një kohë të gjatë, shumë gjatë. Unë i thashë: ‘Pavarësisht se çfarë ndodh në këtë lojë, nëse shënon ose fiton ose humbet – vetëm ruaj gjakftohtësinë dhe luaj lojën tënde. Në fund të fundit, nuk ka të bëjë me politikë, është një lojë futbolli”, ka deklaruar 31-vjeçari për Blick.