Manchester United është i interesuar për mesfushorin e Lazios, Sergej Milinkovic-Savic dhe shpreson të sigurojë një marrëveshje këtë verë, sipas raportimeve më të fundit nga Italia. Siç shkruan Calciomercato, trajneri i ardhshëm i Manchester United, Erik ten Hag, kërkon medoemos të shtojë serbin në mesfushën e tij përpara sezonit të tij të parë në krye të “Djajve të kuq”.
Manchester United do të humbasë Paul Pogba, Nemanja Matic, Juan Mata dhe Jesse Lingard këtë verë, dhe për këtë arsye do të jenë në treg për të paktën një mesfushor qendror.
Milinkovic-Savic ka qenë në formë të shkëlqyer për skuadrën e Maurizio Sarri këtë sezon, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë të njëjtin numër asistesh në Serie A. Çmimi që Lazio i ka vendosur mesfushorit serb, është plot 120 milionë euro!
Sarri, i cili drejtoi Chelsean përpara se të kthehej në Itali, ka këmbëngulur se lojtari nuk do të bashkohet me asnjë skuadër tjetër italiane, pas disa zërave që e lidhnin mesfushorin serb me Juventusin. “Duke folur me presidentin, jam bindur se nëse Milinkoviç largohet dhe kjo nuk do të ndodhë lehtë, ai nuk do të mbetet në Itali”, tha Sarri për “Goal”.
Kujtojmë se disa vite më parë, presidenti i Lazios, Lotito, refuzoi plot 140 milionë euro për kartonin e Milinkovic-Savic. “Milinkovic nuk është në shitje. Unë refuzova një ofertë prej 140 milionë eurosh për të vite më parë”, u shpreh Lotito për “Rai Sport”. Milinkovic-Savic ka treguar se është një nga mesfushorët më të mirë të Serie A, që nga koha kur zbarkoi në Itali, në vitin 2015.