
Partizani siguroi kualifikimin në “Play-Off” të Conference League, teksa kundërhstaari i radhës drejt grupeve të këtij kompeticioni do të jetë Astana. Të besuarit e Zoran Zekic ndeshjen e parë ndja skuadrës nga Kazakistani do ta luajnë më 24 gusht në transfertë, ndërsa do të tentojnë edhe fitoren.
Në lidhje me këtë duel ka folur Eneo Bitri, i cili në një intervistë për “Oversport” ka zbuluar edhe disa sekrete sa i përket Astanës, skuadër me të cilën ka luajtur në të kaluarën.
“Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por mendoj se Partizani i ka të gjitha shanset e veta për t’u futur në grupe me pak kujdes. Por ka përballë një ekip si Astana këtë herë.
Për të thënë të vërtetën, Astana është një ekip shumë herë më i fortë sesa të gjitha skuadrat që Partizani ka luajtur deri tani. Mund të jetë një test i vërtetë për ekipin e Partizanit.
Mendoj që gjëja pozitive është se ndeshjen e parë e luan në Kazakistan. Pika e fortë e tyre është fusha ku luajnë. Është një fushë shumë e vështirë për ekipet kundërshtare pasi është me bar sintetik dhe bar artificial. Mendoj se lojtarët e Partizanit nuk e kanë parë ndonjëherë një fushë të tillë. Edhe vetë kur luajta aty u habita sepse është ndryshe nga të tjerat. Nuk kam parë kurrë fushë të tillë. Do të ishte mirë që të shkonin 2-3 ditë përpara që të përshtaten me të.
Astana është një ekip me shumë eksperiencë dhe luajnë në kombëtaret respektive. Ka lojtarë që kanë kualitet. Partizani mund ta godasë me kundërsulm. Një lojtar i rrezikshëm është Ajmbetov që është sulmues i kombëtares. Kanë një mesfushor si Max Ebong dhe në mbrojtje mund të veçoj Tomasheviç që është kapiteni i Malit të Zi”, ka theksuar Bitri.