
Një gjykatë amerikane do të dëgjojë argumentet nga avokatët që përpiqen të rihapin një proces gjyqësor për përdhunim që kërkon miliona dollarë dëmshpërblim kundrejt Cristiano Ronaldos.
Çështja origjinale u hap në 2018 dhe u pushua në qershor 2022. Megjithatë, paditësja Kathryn Mayorga pretendon se një marrëveshje konfidencialiteti e arritur mes saj dhe Ronaldos në vitin 2010 u shkel nga ylli i futbollit dhe bashkëpunëtorët në vitin 2017, dhe ajo tani kërkon 25 milionë dollarë dëmshpërblim.
Avokatët e Mayorgas do të argumentojnë se një gjyqtar i gjykatës federale në Nevada gaboi kur refuzoi përfshirjen e marrëveshjes së konfidencialitetit si provë dhe se çështja duhet të rihapet. Mayorga pretendon se ylli portugez e përdhunoi atë në një dhomë hoteli në Las Vegas në vitin 2009. Ronaldo, nëpërmjet ekipit të tij ligjor, ka pohuar gjithmonë se takimi ishte konsensual.
Në vitin 2010, të dy palët arritën një marrëveshje konfidencialiteti, në të cilën avokati i Mayorga deklaroi se klientja e tij ishte paguar 375,000 dollarë.
Prokurorët e Las Vegasit rihapën hetimet për çështjen pas paraqitjes së Mayorga-s në vitin 2018, por një vit më vonë arritën në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për t'u vërtetuar akuzat. Një panel prej tre gjyqtarësh do të dëgjojë argumentet verbale nga të dyja palët në një seancë speciale në Las Vegas të mërkurën. Por nuk pritet të ketë një vendim të menjëhershëm nëse çështja civile do të rihapet.