
Nga Eduard Prodani
Ndonëse tingëlloi si një surprizë, vendimi për krijimin e një lige europiane futbolli jashtë skemës ekzistuese të menaxhuar nga UEFA është diskutuar dhe paralajmëruar prej kohësh. Në formën tashmë të faktit të kryer, ai përbën padyshim një zhvillim negativ në futbollin europian dhe atë botëror. Klubet iniciatore janë ndër ato që kanë bërë historinë e futbollit dhe secili prej tyre ka numra të frikshëm ndjekësish në gjithë kontinentet e botës. Ata sot është vështirë të quhen klube të Anglisë, Spanjë apo Italisë sepse në të vërtetë janë klube ndërkombëtare. Pra, ky është dukshëm moment shumë delikat për të ardhmen e futbollit dhe pavarësisht nga drejtimi e zgjidhja që mund të marrë procesi që ka nisur, futbolli nuk do të jetë më asnjëherë ai i pari.
Ligat përfaqësojnë marrëveshje biznesi, synimi kryesor i të cilave është mbrojtja e interesave të ngushta dhe maksimizimi i fitimeve për anëtarët e tyre. Ato kanë lindur praktikisht në të njëjtën kohë me futbollin e organizuar me aktivitet përgjithësisht brenda kufijve politikë të vendeve të tyre. Në këtë kontekst duhet thënë se historikisht FIFA dhe UEFA i kanë shkurajuar idetë dhe iniciativat ndër vite për krijime ligash duke argumentuar avantazhet e sistemit të centralizuar, por gjithmonë duke u përpjekur të gjejë gjuhën e bindjes dhe kompromisit me klubet.
Ndërkohë, pavarësisht përmbajtjes së fjalës "ligë" në tituj, kompeticionet Europiane të UEFA-s në të vërtetë nuk janë liga komerciale dhe nuk funksionojnë si ato. Kjo sepse skemat, organizimi, vendimet dhe më e rëndësishmja, shpërndarja e të ardhurave bëhen nga UEFA. E thënë më thjeshë, nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga organizimi i veprimtarive, UEFA mbështet dhe promovon zhvillimin e futbollit në të gjithë vendet anëtare të UEFA-s mbi kritere që teorikisht synojnë zhvillimin dhe përhapjen sa më të gjerë të futbollit.
Se përse nuk është e drejtë iniciativa aktuale e klubeve të mëdha dhe përse krijimi i asaj që po e quajnë Superligë është i dëmshëm për futbollin, në tërësi kjo është një temë shumë e gjërë për të mund të shkruhet dhe debatohet gjatë. Por, ndërkohë mendoj se ka vend për një diskutim të rëndësishëm për të kuptuar fenomenin dhe nxjerrë konkluzione. Kujtdo mund t'i lindin pyetje të tilla si: Përse të sillen me kaq papërgjegjshmëri këto klube të mëdha që kanë bërë historinë e futbollit evropian? A nuk e kuptojnë ato se po presin degën e pemës ku qëndrojnë dhe vetë? Përse tani nuk arrihet të gjendet një zgjidhje kompromisi mbi kërkesat e klubeve ashtu si është vepruar për dekada me radhë?
Ndonëse fenomeni është shumë kompleks, një nga faktorët kryesorë për krizën e krijuar është vetë UEFA. Për të kuptuar këtë duhet bërë një analizë e thjeshtë se çfarë imazhi dhe potenciali, UEFA ofronte dikur, të themi në kohët e presidentëve si Johanson, etj dhe çfarë ajo ofron dhe përfaqëson sot.
E dyndur në vitet '90 nga njerëzit e federatave të reja krijuar pas shpërbërjes së vendeve ish komuniste, UEFA u përball me një proçes ndryshimesh sasiore dhe cilësore që për fat të keq rezultuan jo pozitive për imazhin, integritetin, performancën dhe besueshmerinë ndaj daj. Devocionit fisnik dhe meritokracisë në menaxhimin e punëve të futbollit duket ia zunë shpejt vendin drejtimi arrogant, arbitrariteti, tarafet, interesi i ngushtë dhe manipulimet. Personazhe me formim dhe prejardhje nga më të çuditshmet u zgjodhën në poste drejtuese të institucionit dhe trafiku i votave për këto poste duket se u bë një "biznes" i rëndomtë nëpër korridoret e atij institucioni.
Rrjedhim i drejtëpërdrejtë i këtij procesi janë skandalet korruptive që shpërthyen hapur pak vite më parë në UEFA, por dhe një listë e gjatë skandalesh të ngjashme në federatatat anëtare prej nga ky institucion e ka shumë të vështirë të dalë i pacënuar në imazh dhe autoritet. Ilustrime të qarta të procesit janë dhe disa "pika takimi të nxehta" të UEFA-s me Shqipërinë që kanë lënë të zhgënjyer shumë prej nesh. Të tilla kemi përshembull dy vendimet e turpshme të trupave të disiplinës së UEFA-s për ndeshjen e Kombëtares në Serbi, trajtimin selektiv dhe dënimin shproporcional të klubit "Skënderbeu", ndërhyrjen mjerane të një zëvendëspresidenti "alien" në asamblenë zgjedhore të FSHF-së në mbështetje të kandidatit të tarafit të tij dhe raste të tjera më pak të njohura.
Për t'u kthyer te tema kryesore, është e qartë se përplasja me klubet kryesore të kontinentit në formën si po ndodh, është pasojë direkt e rënies së padiskutueshme të imazhit, autoritetit dhe rolit të UEFA-s në menaxhimin e futbollit evropian. Rrjedhim i drejtëpërdrejtë i mënyrës së gabuar të menaxhimit të saj në vite. Konsekuencë direkte e paaftësisë së organeve të saj drejtuese.
Më tej. Përbërja aktuale e trupave të saj vendim-marrëse e bën shumë të vështirë që ai institucion të mund të ngrihet mbi problematikat dhe eksigjencat dhe të gjejë autoritetin e liderit për të imponuar zgjidhje kompromisi. Epitetet banale dhe kërcënimet që dëgjuam të kenë dalë nga goja e numrit një, janë shenjë shumë e qartë e kësaj gjendje të mjeruar dhe paaftësie. Nga lufta me klubet e mëdha do të humbin të dyja palët por humbësi më i madh do të jetë futbolli. Edhe sikur të gjendet një kompromis, ai s;mund të jetë veçse i përkohshëm.
Buka nuk duhej lënë të thyhet. Tashmë është vonë!