
Presidenti Safet Gjici ka folur në një intervistë për sajtin e klubit në lidhje me kualfikimin me Rudarin në Mal të Zi, por edhe me ndeshjen e ardhshme kundër Austrisë së Vjenës. Ai qëndron me këmbë në tokë dhe shpreh besimin e plotë te futbollistët e tij edhe për ndeshjen e turit të dytë të Europa League.
Kualifikimi – “Besoja se do të kualifikoheshim. Nuk e kam humbur për asnjë moment besimin, pasi e dija se kishim forcë të kthenimin gjithçka në favorin tonë. E kemi bërë vjet, e bëmë edhe sivjet. Tani të mendojmë për ndeshjen e radhës”.
Emocionet – “Jemi njerëz nga gjaku dhe mishi. Kam përjetuar emocione shumë të forta dhe nuk mund të shpreh sa jam lumturuar kur shënoi Guri. Në radhë të parë jam tifoz dhe e dashuroj klubin si kuksian dhe më pas jam president”.
Austria e Vjenës – “Kemi një ndeshje të vështirë përpara dhe natyrisht që e dime dhe e respektojmë forcën e kundërshtarit, por nuk stepemi para askujt. Jemi Kukësi dhe në çdo ndeshje kemi objektiv vetëm fitoren. I dime edhe mundësitë tona reale, por do të provojmë gjithçka për gjithçka”.