
Prishtina dështoi sezonin e fundit sepse nuk arriti as të sigurojë pjesëmarrjen në turet europiane. Një ndryshim i madh ka filluar prej fundit të sezonit në klub, ku u zyrtarizua trajneri i ri, pikërisht Ismet Munishi.
Më pas erdhi largimi i shumë lojtarëve, por që u pasuan me të tjerë. Klubi kryeqytetas ka treguar nëpërmjet rrjeteve sociale gjendjen e skuadrës.
Situata duket mjaft pozitive në vigjilje të 100 vjetorit, teksa bardhekaltërit paralajmërojnë për transferime të tjera, duke thënë që kryesia do shpenzojë për afrimin e tyre.
Postimi i Prishtinës në rrjetet sociale:
“FC Prishtina i ka filluar përgatitjet nën drejtimin e Ismet Munishit
Nën disiplinë të madhe, punë me shumë seriozitet e angazhim maksimal, batuta të herë pas hershme dhe dëshirë për te ardhur në stërvitje, tash e disa ditë FC Prishtina me kryetrajnerin e ri, Ismet Munishi, i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri që starton në muajin gusht.
Faza e parë e përgatitjeve po kryhet në kryeqytet derisa po shfrytëzohet për stërvitje tartanin i stadiumit “Fadil Vokrri” si dhe kompleksi i klubit në Bërnicë.
Skuadra po përgatitet nga dy herë në ditë dhe transferet e reja janë përshtatur shumë mirë me grupin ndërsa për fat të mirë, asnjë futbollist nuk ka shfaqur probleme fizike dhe ndonjë lëndim deri më tash.
Munishi me ndihmësit e tij, Debatik Curri, Armend Simnica dhe trajnerin e portierëve, Ahmet Becelica i kanë inkuadruar në ekipin e parë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, të cilët po tregojnë vullnet për punë dhe përkushtim maksimal.
Skuadra e Prishtinës që sivjet e feston 100-vjetorin e themelit si klub, duket krejtësisht ndryshe në ditët e para te përgatitjeve.
Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”, mirëpo kryesia e klubit nuk e ka mbyllur "kuletën" me ç'rast në ditët në vijim do të prezantohen edhe ardhje të reja në ekip”, shkruan klubi i Prishtinës.