Real Madrid ka triumfuar për herë të 11-të në “Ligën e Kampionëve”. Madrilenët arrijnë të mposhtin falë 11-metërshave skuadrën e Atletiko Madridit. Serxho Ramos dhe Karrasko janë vlerësuar me notën me të lartë (8), pasi realizuan golat e ndeshjës. Kapiteni i “Los Blankos”, kaloi i pari në avantazh skuadrën, ndërsa Karrasko barazoi shifrat në minutën e 80′ për Atletikon.
REAL MADRID
KEJLOR NAVAS 6- Shtyllat janë miqtë më të mirë të portierit nga Kosta Rika në mbrëmjen e madhe të Milanos. Traversa e ndihmon në penalltinë e Grizmanit dhe shtylla në goditjen e Huanfranit. E bekuar nga zotat e futbollit…
KARVAHAL 6,5- Shumë i lëvizshëm në krahun e tij. Lëviz me kompetencë dhe siguri në çdo minutë që luan, por dëmtimi e detyron të largohet nga fusha mes lotësh.
(Min 53′ DANILO 5- Ka impakt të menjëhershëm, por negativ për shokët e skuadrës. Surprizohet nga Karrasko në golin e barazimit, madje duke mos iu afruar fare. Rrezik publik.)
PEPE 5- E pashpjegueshme penalltia që shkakton ndaj Torresit, e cila mund të kishte rezultuar fatale për Realin. I vjen në ndihmë traversa, por edhe në pjesën tjetër të ndeshjes është një aktor i shëmtuar.
RAMOS 8- Gladiator në arenën “San Siro”. Është njeriu i kopertinës për një Real shumë pak “galaktik”. Ashtu si dy vite më parë, ai shndërrohet në makthin e Atletikos së Madridit. Një mbrojtës që vë firmën në dy finale të Ligës së Kampionëve dhe për më tepër është i saktë nga penalltia. Një film fantashkencë. Kur Atletiko nis të shtojë ritmin, nuk i kursen as ndërhyrjet e forta në këmbët e kundërshtarëve. Monument i madridizmit nëpër botë.
MARSELO 5- Huanfran e dominon jo vetëm në golin e barazimit, por edhe në shumë raste të tjera. Për më tepër, nuk është se bën një ndeshje prej protagonisti.
KASEMIRO 7- “Jo në shtëpinë time”. Në vendin ku ai luan, nuk mund të kalosh as duke bërë shaka, sepse “i zbuluari” i Zidanit është një digë e fortë dhe e pakalueshme.
MODRIÇ 6- Moxarti i vogël shkëlqen vetëm në pjesën e parë me pasimet e tij të zgjuara. Në pjesën e dytë, Atletiko i “vërsul” shumë muskuj dhe kroati e ka të vështirë të dirigjojë lojën e Realit. Megjithatë është një vlerë e shtuar për këtë skuadër.
TONI KROS 6- Koleksionon Champions-in e dytë me dy skuadra të ndryshme, për më tepër si një protagonist. Bën një ndeshje shumë të mirë dhe ngadalëson ritmin e lojës në mënyrë perfekte. Në pjesën e dytë bie fizikisht.
(Nga 72′ ISKO 6- Impakt pozitiv në ndeshje dhe integrohet menjëherë në manovrën e të tijve).
BEJL 7- Është më i miri i BBC-së në mbrëmjen gala të Milanos. Jep asistin me kokë për golin e Serxho Ramosit dhe transformon në gol penalltinë. Është si një kalë i vërtetë dhe nuk të tradhton në momentet e vështira. 100 milionë duket se u shpenzuan mirë.
BENZEMA 6- Punon shumë për skuadrën dhe zbaton urdhrat taktikë të Zidanit. Merr ndonjë goditje të fortë nga mbrojtësit, por nuk dorëzohet. Oblak i mohon golin.
(Nga 76′ VASKUEZ 6- E ka të vështirë të gjejë hapësira në lojë, por shënon penalltinë e parë që i jep frymëmarrje skuadrës).
RONALDO 6,5 – Ai ka lindur gati për gjithçka. Edhe atëherë kur nuk bën ndeshje të mirë, është i rëndësishëm për skuadrën dhe vulos fitoren e këtij trofeu historik për Realin.
TRAJNERI, ZIDAN 6,5 – Për të vlen shumë shprehja: Më mirë gjeneral me fat sesa i zoti. Në futboll vlen shumë edhe kjo. Bëhet trajneri i parë francez që fiton Ligën e Kampioneve. Njeri me fat.
ATLETIKO
OBLAK 5 – E nis ndeshjen mjaft mirë duke bërë dy pritje të shkëlqyera. Ndaj Ramosit është i pafat, sepse mbrojtësi i ndryshon rrugën topit. Edhe në fund e ndal në mënyrë perfekte Benzemanë, por në lotarinë e penalltive është thjesht vëzhgues. Mbrëmje për t’u harruar.
HUANFRAN 6 – Futbolli ndonjëherë është i padrejtë. Mbrojtësi i djathtë i Atletikos jep asistin perfekt për Karraskon që shënoi golin e parë dhe vë në vështirësi Marselon, por e ndëshkon skuadrën e tij nga penalltia. Fat mizor.
GODIN 7- I pakalueshëm. Një gjigant i vërtetë në çdo aksion. Mëshiron më së miri të gjitha karakteristikat e trajnerit të tij dhe i përçon ato në fushën e lojës.
SAVIÇ 6,5 – E vërtetë që gabon në golin e parë të Ramosit, por në pjesën e mbetur të ndeshjes bën ndërhyrje shumë të sakta dhe një prezantim pozitiv.
FILIPE LUIS 6 – Nuk luan si në dy ndeshjet e tjera të Ligës së Kampioneve, por mendon shumë për aspektin mbrojtës. Merr shumë pak iniciativa dhe ka frikën e Bejlit.
GABI 7 – Vuan në fillimin e ndeshjes, por pastaj kthjellohet që po luan një finale të rëndësishme dhe vendos të vërë rregull në skuadrën e tij. Inspiron aksionin e golit të barazimit dhe shndërrohet në një lider të vërtetë të skuadrës. Shpirti bardhekuq.
AUGUSTO 5 – I papërshtatshëm për një mbrëmje të tillë. Jashtë ritmit të lojës. Ishte si një peshk pa ujë.
(Nga 46′, KARRASKO 8 – Vjen nga stoli, por përmbys menjëherë ndeshjen. Gol, puthje dhe shumë kilometra të përshkruar. I trullos kundërshtarët e tij me driblime. Mund të ishte protagonist në filmin “Një javë si Zot”.
KOKE 6 – Në pjesën e parë vuan shumë, por kur Simeone i ndryshon pozicionin atëherë shfaqet Koke i vërtetë. Bën ndeshje të mirë dhe ka dëshirë të luftojë për çdo top në mesfushë.
(Nga 117′, TOMAS – PA NOTË).
SAUL 6,5- Shpërthimet e tij e vënë në vështirësi skuadrën e Zidanit dhe i japin oksigjen bandës së Simeones. Bëri një Champions të niveleve të larta.
GRIZMAN 6,5 – Penalltia e stampuar në traversë nuk e cenon aspak performancën e shkëlqyer të “djallit të vogël”. Pavarësisht se gaboi nga 11-metërshi, ai bëri një ndeshje të mirë dhe vuri në vështirësi mbrojtjen e Realit.
TORRES 6 – Në pjesën e parë është tmerr i vërtetë, sepse nuk bën asnjë pasim me shokët e skuadrës, por në të dytën “El Ninho” shfaqet i vërteti.
TRAJNERI, SIMEONE 6,5 – Mallkimi i Champions-it e godet sërish. Pas një pjese të parë që ua dhuroi kundërshtarëve korrigjon gabimet dhe tregon fytyrën e vërtetë të skuadrës së tij. Atletiko është skuadër më shumë se ky Real, por ndonjëherë fatin e këtyre ndeshjeve e vulosin edhe detajet. Humbja e dytë në 3 vite, por kjo e fundit djeg më shumë.