Pep Guardiola është padyshim një nga trajnerët më të mirë që kanë qenë në qarkullim këto vitet e fundit. Ai ka arritur të bëjë mirë në të gjitha skuadrat që ka drejtuar. Këtë sezon ai do të luajë me Manchester City në Angli. Por ende pa debutuar me skuadrën angleze ai ka shfaqur nostalgji për Gjermaninë. Nën drejtimin e Bayernit Guardiola fitoi pothuajse gjithçka përveç një pengu të madh, Champions League. Kjo është dhe një nga arsyet që kishte edhe njerëz të pakënaqur nga puna e tij me Bayern.
"Periudha ime në Mynih ka qenë e mrekullueshme. E kam të qartë se për disa persona periudha ime në Mynih ka qenë një katastrofë, sepse nuk fituam Ligën e Kampioneve, por nga ana tjetër jam i bindur se vendimi për të shkuar në Mynih ka qenë një nga më të rëndësishmit në jetën time. Kur shkova në SHBA pas largimit nga Barcelona, shkova atje për të përmirësuar nivelin tim të anglishtes, por pas dy muajsh atje firmosa për Bayernin. Në Mynih kërkesat janë të jashtëzakonshme. Atje duhet të fitosh, të fitosh dhe vetëm të fitosh, ndryshe je i larguar. Por Bayerni është një klub fantastik. Kam qenë me fat sepse gjatë qëndrimit atje kam punuar me lojtarë të mëdhenj me një mentalitet të pabesueshëm. Kjo është një diferencë e madhe", ka thënë Guardiola në lidhje me eksperiencën gjermane.
Vetëm para dy ditësh ai është prezantuar te City, duke filluar të marrë në dorë drejtimin e skuadrës dhe të objektivave të merkatos.