
Nga Gjergji Stefa
Nuk ka asnjë logjikë që ta konsiderosh futbollin në përgjithësi dhe kampionatin në veçanti një “oaz” funksional, në një vend ku në përgjithësi gjërat nuk është se funksionojnë, ashtu sikundër krahasimet apo përqasjet me futbollin e madh perëndimor përveç se nuk bëjnë sens, shpesh e dëmtojnë qartësinë me të cilën duhet të gjykojmë Superioren shqiptare, një organizim pa diskutim me shumë gjëra për t’u ribërë, por me një përpjekje gjithnjë e më shumë serioze, për të bërë diçka, si nga pikëpamja sportive ashtu dhe nga ajo organizative.
Pamjet që ofroi fundjava e shkuar, kur Mançester Junajtid kishte në stadium më shumë se 60 mijë tifozëve për një ndeshje modeste kupe, nuk dëshpërojnë vetëm shqiptarët apo rajonin. Ai është një standard që do ta kish zili më shumë se gjysma e Europës, madje dhe liga “big” si ajo e Italisë apo gjetkë. Duke shijuar magjinë e ishullit, “oazi” i zhvendosur në Turqi të ngjan një i tillë pa shije, por në logjikën e krahasimeve që nuk blejnë, Antalia, është praktikisht “Old Trafordi” ynë. 6 skuadra shqiptare të kampionatit kanë udhëtuar në Turqi, janë duke u përgatitur në kushte të shkëlqyera dhe janë duke u ndeshur me rivalë të rëndësishëm në arenën e rajonit - kujto miqësoren që Kukësi luajti para dy ditësh me kryesuesen e kampionatit turk. Në këtë këndvështrim, ajo çka po ndodh këto dy javë mund të meritojë një kompliment. Tirana kishte vite që nuk e kalonte kufirin në këtë pikë të vitit, ndërsa Partizani ka një “dezhavu” kundër Fenerbahçes, të cilën e ka mundur 5 dekada më parë në finalen e Kupës së Ballkanit. Diçka te 300 mijë euro shpenzime, në vazhdën e investimeve e buxheteve, që pavarësisht rezultateve, janë më të larta se sa vendet e rajonit. Diçka po bëhet dhe në lidhje me të ardhurat. Presidenti i Tiranës deklaroi në TV që ka oferta deri në 700 mijë euro për talentin afrikan Mervejl, Skënderbeu ka gati shitjen në Kore të Xhejms, ndërsa Partizani nëse nuk do qe për ambicien “kokëfortë” për titullin kampion, mund gjithashtu të kishte shitur për momentin disa nga yjet.
Në përgjithësi gara në vend po zhvillohet në kushtet e konkurrencës, disa skuadra kërkojnë titullin e disa të tjera duan t’i shpëtojnë mbijetesës, ndërkohë që shikueshmëria është një element për t’u nënvizuar. “Digitalb” guxoi muaj më parë që Kategorinë Superiore ta servirte një paketë më vete sezonale me vlerën 1800 lekë të rinj, dhe ajo që ndodhi ishte surprizuese. Mijëra abonime të personalizuara vetëm në muajt e parë, çka tregon më së miri se ekrani i vogël jo rrallë zihet me futbollin vendas. Një grup xhirimi ka udhëtuar për të ndjekur “live” përgatitjet e skuadrave në Turqi nëpërmjet Superpsort, ndërkohë që klubet në mënyrë sistematike ofrojnë pamje, foto, intervista dhe informacion në kanalet e tyre zyrtare në rrjetet sociale. Ndoshta futbolli shqiptar nuk është ende një markë, por përçapjet në këtë drejtim po bëhen të gjitha. Dy gazeta kryesore në vend raportojnë çdo mëngjes, ndërkohë që më shumë se 6-7 uebe të dedikuara informojnë publikun çdo moment.
Nëpër shkallë numri i njerëzve është ende disi më i ulët se pritshmëria, por kjo kërkon një studim disi më të gjerë. Një lloj klime mosbesimi e pushtuar prej vitesh mbi moralin e futbollit, kushtet nëpër stadiume dhe sidomos konkurrenca e TV dhe e ndeshjeve ndërkombëtare nuk i kanë dhënë një goditje numrit të njerëzve në stadium vetëm në Shqipëri. Shifrat e rajonit thonë që gjithashtu kriza e njerëzve ndihet më shumë se kudo, dhe në përgjithësi ligat e ashtuquajtura të vogla e vuajnë një fenomen të tillë. Në arenën Europiane, Shqipëria dhe kampionati i saj zinte sistematikisht vendin e 41-të nga 55 liga të kontinentit, ndërkohë që këtë verë sidomos, dhe pas asaj që bëri Kukësi dhe Partizani në Kupat e Europës, apo Skënderbeu në 2015, kampionati zë vendin e 37-të në Europë.
Nuk ka asnjë diskutim që “oazi” i momentit për ndokënd, përfshirë dhe autorin, mund të jetë maja e një “ajsbergu”, i cili poshtë asaj që duket, mund të ketë një copë të vështirë akulli për t’u thyer, probleme mes njëri tjetrit, në ndonjë rast financa të brishta, në ndonjë rast madje akuza deri në kufijtë e së vërtetës për trukim, diskutime të mëdha për gjyqtarët dhe lloj mungese përqendrimi për të ndërtuar struktura të vërteta në klub. Megjithatë duke i konsideruar fenomene në minimizim e sipër, mund ta vërshëlleni gjithçka sa të doni, por ky futboll nuk është dhe aq i keq sa duket. Nëse pastaj vendosni të uleni virtualisht në shkallët e “Old Traford”, Antalia dhe pista e asaj në aeroport do ju duken si tribunat e stadiumeve shqiptare në fillimin e viteve ‘90. Të ftohta dhe pa stola./ Sport Ekspres