
Nga Gjergji Stefa
Do vijë një ditë që shqiptarët do bashkohen. Do përfaqësojnë të njëjtin flamur, kufijtë do ndryshojnë dhe të gjithë kudo që janë do jenë të lumtur e krenarë që do zgjedhin e sillen si kuqezi në sport e jo vetëm. Atë ditë do kemi tonën Prishtinën, do kemi rifituar Shkupin, do jemi shtrirë gjer në Ulqin e madje do kemi kapur dicka dhe nga ajo që sot është Greqia. Do jemi Shqipëria e madhe, ëndërra jonë, fundja e drejta jonë.
… deri sa e gjitha kjo të ndodhë të paktën duhet shijuar moment. Shqipëria shkoi në Europian, ndërsa Kosova do luajë zyrtaret për Botërorin e Rusisë, në Maqedoni futbolli flet kuqezi me shkëndijën, por e gjitha kjo nuk ka mjaftuar që shqiptarët ashtu të ndarë kudo nëpër rajon e europë të mos i kenë shpirtrat e qetë. Ai që ua trazoi ishte një 20 vjecar, talenti i momentit, Milot Rashica, i lindur në Vushtri, për momentin lojtar i Viteshes, protagonist në kampionatin holandez dhe në merkato. Ai vendosi të veshë fanelën e Kosovës, duke i thënë lamtumirë Shqipërisë pas 6 vitesh kuqezi dhe kaq ka mjaftuar që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës – me siguri duke e mos marë shumë seriozisht si cështje janë përfshinë në debate aq të ashpra sa në ndonjë rast të dukej një derbi lokal sesa një çështje gjithsesi kombëtare. Thonë që turmat gjaknxehta nuk dinë ç'bëjnë dhe nuk duhen gjykuar në kushtet e interkativitetit, por gjithsesi shija që la pas nuk ishte e bukur.
Rruga më e shkurtër është një Shqipëri me vetëm shqiptarë dhe një Kosovë me vetëm kosovarë. Rruga më e shkrutër nuk të shpie asgjëkundi. Milot Rashica i ngjasonte motivit të Ledri Vulës “nëse m’don ti” me nëntekstin “kthena te e vjetra”, pasi qartësisht u largua nga Shqipëria kur kjo e fundit nuk e grumbulloi për Europianin e Francës. Ky është një detaj kompromentues në rastin në fjalë, po jo përgjithësues. Ka lojtarë që ikin se ashtu e ndjejnë, ka që nuk vijnë fare njësoj se ashtu e ndjejnë. Ka nga ata që janë shumica enden mes mundësisë më të mirë dhe në fund zgjedhin. Rashica është rast i veçantë.
E ardhme e garantuar për 10 vitet e ardhshme në Komëbtare, me siguri ylli i dekadës së re, potencial i jashtëzakonshëm për t'u shndërruar në lider. Ndoshta De Biazi gaboi që nuk e grumbulloi në Europian por ky duhet të mbetet një diskutim teknik i pakushtëzuar me të ardhmen e tij kuqezi. Pavarësisht politikave është e paparanueshme të thuash me zë të lartë që Kombëtarja duhet shndërruar në një joshje nga frika e së ardhmes. Po nëse lojtari grumbullohej në Francë dhe aty vinte kushtin e rradhës: nëse nuk luaj iki?! Po nëse atje luante dhe më pas donte edhe shiritin?!
Në një kënd të diabolizmit personal mendoj – ndjesë për të folurën në vetën e parë në numrin njëjës që De Biazi realisht duhet ta grumbullonte e t'i jepte disa minuta qoftë dhe për ta rekrutura në mënyrë të padisuktueshme në Kombëtaren e së ardhmes. Kështu kanë bërë shumë Kombëtare në ndonjë rast kemi bërë shumë dhe ne, por ndërgjegja thotë “Jo”. Ndërgjegja thotë që Shqipëria është e shqiptarëve kudo qofshin dhe luajnë apo jo në një Europian nuk duhet të jetë arsye për të përfaqësuar apo jo kombin.
Gjithsesi Rashica duhet respektuar. Pavarësisht se përdori motivin “nëse m'don ti” në fund të fundit ai shkoi në gjysmnë tjetër të shqiptarëve. Do luajë sërish për shqiptarët, por për ata të Kosovës.
Gjërat ndonjëherë duhen thënë ashtu si janë. Sepse ashtu si shumë shqiptarë që më parë kishin luajtur me Zvicrën erdhën te Shqipëria, sepse nuk gjetën vend në skuadrën helvete, njësoj dhe shumë shqiptarë nga Kosova do shkojnë te Kosova, sepse nuk gjejnë vend te Shqipëria. Njeriu nga natyra dëshiron të jetë protagonist, dëshiron të jetë titular, dëshiron të jetë i rëndësishëm, kudo qoftë kjo mundësi. Derisa Shkupi, Prishtina, Çamëria e Ulqini të jenë tonat do endemi mes zgjedhjesh personale, mes dëshirës kolektive për të pasur një Komëbtareve, mes debateve e sherreve brenda llojit.
Por edhe në rrugën drejt bashkimit zyrtar ndoshta do vijë një ditë që shqiptarët të tregohen të matur, të mos gjykojnë e paragjykojnë,. Të mos prishin tastierat e tyre me patetizma e t'i lënë njerëzit të punojnë të qetë me frymën se “nuk ka moral kolektiv, ka vetyëm ndërgjegje personale”. Larg qoftë dita që shqiptarët të luajnë të gjithë për Shqipërinë e kosovarët vetmë për Kosovën. Gjithkush duhet të luajë atje ku e ndjen madje dhe gjetkë në Europë, mjafton që kjo zgjedhje të jetë zemre, por jo me zemër të thyer. Fanella e Kombëtares nuk mund të jetë një kapriço.
Kosova me Rashicën do jetë më e fortë, Shqipëri pa të, a do jetë më e dobët?! Nëse do t'i shihnim të gjithë shqiptarët si qënie të veçuara nga flamuri, rrënjët e atdheu do ishim më të qetë me këndvështrimin tonë në rrugën e Shqipërisë Madhe. Duhet t'i shohim si njerëz, që për fatin e keq të tyre enden mes mundësive e zgjedhjeve që i bëjnë ndonjëherë madje dhe nervozë. Mos thoni që një ditë kjo do vinte. Kjo ditë ka qënë gjithnjë mes nesh dhe do jetë derisa të ripushtohen të gjitha kështjellat shqiptare në rajon. Të paktën deri atë ditë të jetojmë në paqe.