
Derbi mes Tiranës dhe Partizanit nuk prodhoi një lojë atraktive në fushën e lojës por derbi i tribunave është ai që nuk tradhëton kurrë. Ultras e dashamirës të thjeshtë nga të dyja kampet nuk u ndalën së mbështeturi ekipin e tyre për çdo sekond të lojës. Megjithatë, episodet ku ndeshja u ndërpre disa herë për shumë minuta nuk ishin një reklamë e mirë. Për këtë, ka komentuar edhe ish-arbitri Lorenc Jemini në Procesin Sportiv.
“Ndërprerja 25 minuta ishte shumë e shëmtuar. Pjesa e dytë shkoi 80 minuta dhe u luajt vetëm 16 minuta e 10 sekonda. Rregullorja thotë qartë: Nëse hidhen të tilla sende, ndalohet loja dhe paralajmërohen me megafonë. Arbitri e menaxhoi mirë por 22 minuta ndërprerje ishin të ekzagjeruara.
Në momentin e dytë që u hodhën fishekzjarret duhej boshatisur sektori nga policia. E ka bërë Arsen Hoxha 50 vite më parë. Nuk është normale, ndërkohë që Telushi po bëhej gati të gjuante penalltinë aty ranë 4 flakadanë. Rregullorja e ka të qartë: nëse përsëriten këto veprime edhe pas këshillimit, ndëshja ndërpritet përfundimisht. Duhet t’u jepet një mësim tifozëve sepse nuk vazhdohet kështu.”-tha Jemini.