Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

Nderimi për Panajot Panon, 2.5 milion euro dhe 90 minuta pa drita, 11 vite më parë kur GRAMOZI i shënonte REALIT TË MADRIDIT dhe fërshëllimat për Ronaldon

Shkruar nga NEWSPORT

20 janar 2010. Stadiumi "Qemal Stafa" ishte në kapacitete të plota. Nuk luante Kombëtarja shqiptare, por një skuadër e vogël nga juglindja e Shqipërisë, Gramozi priste Realin e Madridit. Edhe pse sot mund të tingëllojë si e pamundur, Gramozi asokohe në Superligë siguronte ndeshjen e luksit falë sposorit të ekipit, kolonjarit Rezart Taçi që ishte pronari i Taçi Oil.

Plot 2.5 milion euro siguruan Galaktikët nga udhëtimi në Tiranë, që në fund zgjati 90 minuta më shumë se çfarë ishte parashikuar. Veç golit të Gramozit, rezultatit 1-2 apo fërshëllimave për Ronaldon, të gjithë mbajnë mend se në impiantin e kryeqytetit të Shqipërisë ikën dritat për më shumë se 90 minuta. Pas ndeshjes policia procedoi 25 persona për incidentin, ndërsa u shkarkua drejtori I stadiumit, Perikli Dhales. E gjitha për fajin e një transformatori që do duhej të ishte në punë në raste avarie.

Mëngjesi I 20 janarit 2010 në qytetin e vogël të Ersekës nuk ishte I zakonshëm. Qindra qytetarë ishin mbledhur dhe organizuar për t'u nisur drejt Tiranës me mjete private apo në autobusët e vendosur në dispozicion nga klubi. Kolona e makinave u nis rreth orës 9 nga Erseka, me ndeshjen që startoi mbrëmjen e asaj dite, pikërisht në 18:00.

Ndeshja filloi me 1 minutë heshtje në nderim të Panajot Panos, legjendës së futbollit shqiptar që ishte ndarë nga jeta dy ditë më parë se ndeshja të luhej. Entuziasmi i 17 mijë të pranishmëve në "Qemal Stafa" do arrinte maksimumin në të dytën minutë, kur pas një assist të Dos Santos, Daniel Xhafaj do ndalte topin në rrjetën e Galaktikëve. Kaq është dashur që festa të shpërthente në stadium, me tifozët nga e gjithë Shqipëria që për disa orë ishin bërë tifozë të Gramozit.

Kaka në të 33 minutë dhe Benzema në fundin e duelit (81), do përmbysnin kolonjarët për rezultatin 1-2. Tej ndeshjes, në fillimin e pjesës së dytë xhirron e medieve botërore e bëri ikja e dritave për 90 minuta në stadium, me drejtuesit e Real që pritën sa gjithçka të rregullohej dhe u rikthyen në fushë, me Raul që në fund ngriti edhe trofeun e ndeshjes.

Kujtojmë se Gramozi kishte krijuar një mini-kombëtare asokohe, me lojtarët më të mirë të kampionatit elitar. Sot, në Ersekë e kujtojnë me nostalgji atë moment të 10 viteve më parë, me Gramozin që prej atij sezoni nisi të bjerë dalëngadalë në Kategorinë e Dytë të futbollit në vend, duke u përfaqësuar tanimë me djem të rinj vendas. /Stavro Anesti Dhimitri/

Gramozi 1-2 Real Madrid

GRAMOZI ERSEKE: Shehi; Semina, Dragushi, Kukaj, Vrapi; Lilaj, Babaj, Devolli, Mukaj; Xhafaj, Do Santos.

REAL MADRID: Dudek; Ramos (Arbeloa, 45'), Garay (Albiol, 45'), Metzelder, Marcelo (Lass, min.82); Gago, Guti, Granero; Kaka (Benzemá, 45'), Cristiano Ronaldo, Raul.

Gjyqtar: Sokol Jareci

"Qemal Stafa", 20 janar 2010

Tags:

VENDI DOSSIER

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga