
“Na vjen keq që nuk jemi në Kategorinë e Parë”, presidenti i Tërbunit zbulon objektivat e skuadrës: Bëjmë maksimumin, kemi bashkëpunuar me klubin e Superiores
Tërbuni do të marrë pjesë këtë sezon në Kategorinë e Dytë, teksa objektivi kryesor i tyre do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë. Prej javësh ka nisur përgatitja e skuadrës për të qenë gati për sezonin e ri, me fazën përgatitore që po e zhvillojnë në Pukë.
Presidenti i klubit dhe njëkohësisht edhe kryetari i bashkisë Pukë, Rrok Dodaj ka folur për mediat dhe ka treguar për fazën përgatitore të skuadrës, obejktivin si dhe për bashkëpunimin me klubin e Vllaznisë për huazimin e lojtarëve.
Ndër të tjera ai nuk lë pa përmendur edhe djalin e tij, Kevin që luan me Vllazninë dhe është pjesë e kombëtares kuqezi, ndërsa thekson se do të bëjë gjithçka që duhet për të ecur i sigurtë në karrierë.
“Tërbuni mungon Kategorisë së Parë, si ndjeheni? Më vjen keq. Ishin incidentet e ndodhura në sezonin e kaluar dhe bënë që Tërbuni të bjerë në Kategorinë e Dytë.
Faza përgatitore? Faza përgatitore po mbahet në Pukë. Bashkia dhe stafi kanë një impenjim dhe janë të gatshëm të bëjën gjithçka për të arritur objektivin tonë që është ngjitja në Kategorinë e Parë. Tërbuni do të vazhdojë aktivitetin e tij në Shkodër dhe do të ketë huazime dhe bashkëpunime me ekipin e Vllaznisë.
Ekipi i Tërbunit është i kompletuar, stërvitja vazhdon në kushte optimale. Shpresojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme që ekipi të jetë dinjitoz në këtë kampionat.
Trajner Altin Xhahysën dhe drejtor Alfred Pjetrin, pse kjo zgjedhje? Ishtë një përzgjedhje në grup. Trajneri është ish-lojtar i Tërbunit dhe Vllaznisë dhe ka eksperiencën e duhur. Deri tani po tregon se është i aftë të menaxhojë stërvitjen e skuadrës. Alfredi është një profesionisht, unë kam qenë koleg me të dhe e njoh mjaft mirë. Stafi është i kompletuar dhe jam i kënaqur me zgjedhjet e bëra.
A do të sigurojë Tërbuni ngjitjen në Kategorinë e Parë që në këtë sezon? Ne do të krijojmë të gjitha kushtet që ekipi i tërbunit të stërvitet mirë dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme.
Rivaliteti? Të gjitha ekipet e Kategorisë së Dytë janë profesioniste. Janë Valbona, Besëlidhja, Iliria, Gramshi, Kopliku dhe plot të tjera. Me stërvitje dhe punë ne do t’ia dalim.
Futbolli vazhdon në familjen tuaj. Kevin Dodaj luan me Vllazninë, jeni i kënaqur që është pjesë e Kombëtares? Unë jam shumë i kënaqur. Unë kam luajtur për Tërbunin si sulmues dhe në të njëjtin pozicion vazhdon dhe djali. Unë do ta mbështes me çfarë ka nevojë”, ka përfunduar kreu i skuadrës së Tërbunit.