
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka rikthyer më në fund frymën pozitive në skuadër dhe në opinionin publik. Dy fitoret e fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe kanë vendosur në vendin e dytë në grup kuqezinjtë duke bërë që kualifikimi në grupet e Euro 2024 të mos jetë thjeshtë një ëndërr.
Njeriu që mundësoi afrimin e brazilianit në Kombëtare, Altin Taho, ishte i ftuar në emisionin ‘Procesi Sportiv’ në Top Channel ku ka zbuluar disa prapaskena majft interesante.
“Kur i thamë në fillim për Shqipërinë, ai e njihte vetëm nga ana gjeografike dhe nuk dinte asgjë për futbollin tonë. Ai na tha të prisnim pak dhe kur i takuam sërish na solli një listë me lojtarë që edhe ne i kishim humbur nga radari. Na la një shije shumë të mirë dhe na bindi se ai ishte zgjedhja e duhur.
Kur Nedim Bajrami erdhi për herë të parë në Tiranë që të takonte Sylvinhon, trajneri e ndali dhe bisedoi për 40 minuta me të. I tregoi video sesi duhej të vepronte për të mbrojtur sa më mirë, pasi dihet që Bajrami çalon në këtë drejtim. . Sylvinho donte që ai të mbronte në mnyrën e duhur dhe nëse e vini re në dy ndeshjet e fundit, Shqipëria sa herë humbiste topin, e rikuperonte menjëherë”, tha Taho.