
Trajneri i Milan, Sergio Conceicao ka folur në prag të finales së Superkupës së Italisë, ku ekipi i tij do të përballet me Inter. Një ndeshje që pritet të jetë spektakolare jo vetëm se është një finale, por mbi të gjitha është derbi i Milanos.
“Milani është një klub i madh që është mësuar me ndeshje të tilla. Ky moment, kjo finale është tepër e rëndësishme për djemtë”, tha fillimisht tekniku portugez.
Çfarë qasje duhet të keni në këtë ndeshje?
Qasja që duhet të kemi ndaj kësaj ndeshje duhet të jetë një qasje inteligjente. Nuk duhet të harrojmë se kemi një ditë më pak pushimi se ata. Janë një skuadër me shumë eksperiencë, me një trajner që i stërvit prej disa vitesh. Duhet të kemi një qasje inteligjente, të dimmë se çfarë të bëjmë.
Gjendja e lojtarëve?
Disa lojtarë të dëmtuar u shëruan në minutën e fundit, por nuk janë në 100 përqëindëshin e tyre. Por në fund të ndeshjeve, nëse humbin apo fitojmë, nuk do të më shihni duke u justifikuar për gjëra të tilla. Ne duhet ta shikojmë këtë ndeshje me thjeshtësi, përulësi dhe të dimë çfarë duhet të bëjmë në nivelin taktik. Të gjithë do të duhet të luajnë në maksimumin e tyre, në kufijtë e tyre, për të mirën e kolektivit dhe të arrijnë te fitorja, që është gjëja më e rëndësishme.
Si përballohet një finale?
Siç e thashë, Interin e shoh me përulësi, por aspak me frikë. Kam një dëshirë të madhe për të qenë konkurrues dhe për të fituar ndeshjen. Është një finale, pavarësisht nëse është pak a shumë e bukur, duhet ta fitosh.