Ndeshja Dinamo – Skënderbeu përfundoi me fitoren e bluve me rezultatin 2-1. Në ‘Elbasan Arena’ u zhvillua një lojë e luftuar nga të dy ekipet deri në minutën e fundit, por një episode ka ndezur debate në studion ‘Skaner’ të Gerti Çarçanit.
Bujar Pregja, në moviolën e ndeshjes, ka evidentuar një rast të dyshimtë penalltie në zonën e Dinamos. Në minutën e 21-të, 3 minuta pas golit të barazimit të Skënderbeut, Rashica rrëzohet në zonë pas duelit me Behiratche duke pretenduar më pas për një penallti në favor të korçarëve, por gjyqtari Olsid Ferataj vijoi lojën dhe as VAR nuk ndërhyri. Sipas Pregjës, kjo ndërhyrje ishte e parregullt nga ana e mbrojtësit të Dinamos dhe duhej të akordohej penallti ose të paktën një ndërhyrje nga VAR.
“Shihet një ndërhyrje e lehtë e Behiratches. E ka shtyrë me duar duke e penguar dhe duke i hequr ekuilibrin. Duhej të ndërhynte VAR. Ajo shtyrje me duar nuk e la sulmuesin të godiste topin”, tha Pregja.