
Kombëtarja shqiptare do të luajë gjatë këtij muaji dy nga ndeshjet më të rëndësishme që nga viti 2016. Kuqezinjtë do të sfidojnë Çekinë në Prague më 7 shtator dhe 3 ditë më pas do të presin në “Air Albania” Poloninë.
Dy përballje që do të vendosin shumë mbi fatet e kombëtares tonë mbi kualifikimin në Euro 2024. Për këto dy sfida ka folur edhe Mirel Josa. Për “GazetaBlic”, ish-trajneri i njohur ka theksuar se janë ndeshje të vështira që të luhen mbrenda 3 ditëve, ndaj dhe fokusi i djemve tanë duhet të jetë te Polonia.
“Të them të drejtën, këto janë dy ndeshje të vështira, të cilat lidhen me njëra-tjetrën. Republika Çeke është e avantazhuar si rezultat i pozicionit të saj në klasifikim. Ne si Shqipëri duhet t’i japim rëndësi ndeshjes me Poloninë. Është e vështirë të përballosh 2 ndeshje brenda pak ditëve. Rëndësi ka ndeshja me polakët.
Kualifikimi në Euro 2024? Jam optimist për mënyrën që është shfaqur Shqipëria, vendosjen në fushë dhe oreksin që kanë si skuadër. Këto lojtarë të japin shpresë se do të arrijmë të kualifikohemi”, ka deklaruar Josa.