Sot, ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në radhët e Besës së Kavajës. Veton Shabani, një emër i dëgjuar në kampionatin shqiptar që së fundmi po bën mjaft mirë në Kategorinë e Parë. 27-vjeçari shënoi dhe dha një asist sot kundër Erzenit.
Në një intervistë të dhënë enkas për newsport.al. mbrojtësi i djathtë ka treguar aventurën kavajase, gjithashtu edhe momentin pikant kur i "vodhi" topin Dajsinanit për të shënuar.
Shabani është i vendosur dhe shpreson që sezoni i ri ta gjejë Besën mes më të mirave, në Superiore. Ai bën diferencat mes Korabit dhe ekipit kavajas, ku sigurisht një forcë motivuese është presidenti Nexhat Bizhdili.
- Veton, shkëlqyet sot ndaj Erzenit. Si ndihesh në skuadrën e Kavajës?
Faleminderit për intervistën. Ndihem shumë mirë. Më kanë pritur shumë mirë dhe shpresoj të japim maksimumin.
- Në skuadër keni lojtarë si Kaja apo dhe Kaloshi. Keni qenë në një skuadër te Korabi dhe këtë sezon dukeni të konsoliduar. Mund të na thuash diçka më shumë?
Normalisht që kjo e bën më të lehtë pasi në lojë njihemi mirë me njëri-tjetrin. Si fillim jemi në rrugën e duhur dhe po funksionojmë si grup.
- Sot ishe vendimtar me lojën tënde duke shënuar dhe dhënë një asist. Si të duket ky sezon?
Siç e thashë edhe më lart, kur skuadra funksionon mirë, edhe unë kam dëshirë të jap maksimumin. Besoj se ky edicion është mjaft i luftuar dhe shpresoj të konkurrojmë për Superioren deri në fund. Pse jo, edhe të ngjitemi mes më të mirave.
- Cili është rivali direkt për Superioren?
Nuk është se i njoh mirë skuadrat këtu në Shqipëri, por Kastrioti i Krujës duket mirë këto ndeshjet e para.
- Besa apo Korabi?
Me Besën kemi shtëpinë tonë, stadiumin. President Bizhdili na rri afër gjithmonë ndërsa te Korabi ishim gjithmonë mysafirë. Kjo na penalizonte shumë.
- E ardhmja jote?
Jam i përqëndruar maksimalisht te Besa, më pas të shohim.
- Së fundmi, na trego pak momentin si ia "vodhe" topin Dajsinanit duke shënuar sot ndaj shijakasve.
(Qesh) Se di ç'donte t'bënte ai Dajsinani, veç dua të them që e falënderoj për atë gabim. Më ka shpëtuar. (Qesh) /Retin TOKA/