Struga është fituesja e kampionatit të Maqedonisë së Veriut për sezonin 2023-2024. Kampionët në fuqi ruajnë fronin teksa mposhtën në transfertë rivalin direkt, Shkëndijën dhe sigurojnë matematikisht vendin e parë 1 javë nga fundi i kampionatit.
Fitore 0-2 që i distancon +3 nga tetovarët, ndërsa janë më mirë në ndeshje direkte me 2 fitore e 1 humbje. Ibraimi dhe Radeski ishin heronjtë e struganëve me nga 1 gol për secilën pjesë që i jep 3 pikët vendimtare dhe titullin kampion liqenorëve.
Një kampionat i rivalizuar nga fillimi deri në fund ku pjesën më të madhe e ka dominuar Struga e trajnerit Shpëtim Duro, i cili në fakt u shkarkua javën e fundit. Titulli i dytë rradhazi dhe i dyti në histori për Strugën, një ekip i vogël që po bën hapa të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut.