
Ish-futbollisti dhe kapiteni i Kukësit, Renato Malota, më në fund ka vendosur të flasë për largimin e tij pas katër viteve nga klubi verilindor, duke sqaruar situatën që solli "divorcin" mes palëve.
"Presidenti Gjici më bëri një ofertë që të qëndroja te Kukësi dhe kjo ofertë ishte e pranueshme nga ana financiare, por largimi im erdhi për të tjera shkaqe të cilat nuk dua t'i bëj publike. Ajo çka më ka zhgënjyer më shumë është se stafi i ri teknik nuk mori mundimin të më kontaktonte si kapiten skuadre që isha dhe të ma thoshte në sy që nuk isha pjesë e planeve të tyre. Kontributi im te Kukësi dihet dhe koha do e tregojë sa ka humbur Kukësi me largimin e Malotës. Largimi i trajnerit Duro e dëmtoi grupin pasi ne ishim bërë një skuadër shumë e fortë që e them me bindje se këtë sezon e fitonim titullin. Së shpejti do e mësoni ekipin tim të ri, tek i cili dua të kap majat dhe kombëtaren", ka thënë Malota në një intervistë për gazetën "Panorama Sport".
Destinacioni i ardhshëm i Malotës pritet të jetë një mes Flamurtarit ose Partizanit, ekipet e vetme që kanë shfaqur interes për të deri tani.