
Lushnja do të udhëtojë në transfertë ditën e shtunë, ku do përballet me Skënderbeun në Korçë, në orën 17:00, në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të kampionatit në Superligë. Ndërkohë që në të dyja kampet po zhvillohen përgatitjet, duket se lagunarët nuk do të jenë të plotë në përballjen ndaj kampionëve të dimrit.
Skuadra ka zhvilluar ditën e djeshme përgatitjet nën drejtimin e trajnerit, Dritan Çuko dhe përgatitësit atletik, Llazar Gjika. Mësohet se në Korçë do mungojnë mbrojtësi, Endri Magani dhe mesfushori, Gentian Çela, të cilët janë të pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të kartonave.
Mbrojtësit Xhafa e Marku vazhdojnë të jenë të dëmtuar, duke mos dhënë siguri për prezencën në këtë transfertë. Klejdis Branica që mungoi në takimin e parë për shkak të dëmtimit, është bashkuar me skuadrën ditën e djeshme duke dhënë sinjale pozitive. Problem në seancën e djeshme stërvitore ka pasur dhe kapiteni i Lushnjes, Fatjon Sefa, i cili ka shkuar për mjekim për shkak të një hematome në shpinë, për t'iu bashkuar skuadrës pak minuta më vonë dhe nisur normalisht seancën stërvitore.