
Tirana humbi dje përballë Zrinjskit 0-1. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Air Albania” prodhoi një lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, ku vendosi vetëm penalltia që u shndërrua gol në minutën e 12’. Asgjë nuk është e mbyllur pasi të dyja skuadrat do luajnë të paktën dhe 90 minuta të tjera në Bosnjë më 28 korrik.
Tirana ka gjithë kohën e mundshme për t’u përgatituar, teksa në anën tjetër Zrinjskit i duhet të mendojë dhe për kampionatin. Kampionët aktual të Bosnjës do luajnë më datë 24 përballë Zeljeznicar në ndeshjen që do jetë e para për këtë kampionat. Kështu bardheblutë shpresojnë që kundërshtarët e tyre të djersinë sa më shumë, për t’i hapur rrugë një kualifikimi të mundshëm në turin e tretë të Conference League.