Lazio arriti të fitonte kundër Bolognës, ndeshje e vlefshme për 1/8-at e Kupës së Italisë. Në këtë takim e nisi si titullar Elseid Hysaj. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare bëri një ndeshje pozitive duke dhënë kontributin e tij në kualifikimin drejt çerekfinale.
Ai ka folur pas takimit për mediet italiane duke treguar situatën e lacialëve në këtë edicion futbollistik. Në fjalën e tij për gazetarët, mbrojtësi shkodran është shprehur:
“Ishte pak e vështirë për mua që të futesha në botën e re të Sarrit, por këtë vit jam më mirë fizikisht, po stërvitem, po mundohem të kuptoj ku mund të përmirësohem. Herët a vonë, puna do të shpërblehet. A është Sarri ndryshe nga si ishte më parë? Jo ndryshe, vetëm se skuadra, duke ndryshuar rreshtim, kishte nevojë për pak më shumë kohë për të kuptuar lëvizjet, gjërat që kërkon trajneri. Tani gjërat po u dalin mirë djemve si Luis Alberto, Milinkoviç-Saviç, janë të aftë të ndryshojnë mentalitet. Ne po ecim përpara, shihet dhe në ndeshje, po bëjmë atë që kërkon trajneri.
Ndryshimi? Pak nga gjithçka. Të vija këtu pas 6 vitesh te Napoli ishte e vështirë edhe për mua, pavarësisht faktit se kam eksperiencë. Të ndryshosh gjithçka është e vështirë. Tani ndjehem mirë me të gjithë shokët e skuadrës, me të gjithë ekipin, po fillojmë të bëjmë lojën që kërkon trajneri, po hyj edhe unë në manovrën e tij dhe është shumë e bukur.
Milani? Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, që sot jemi të përqendruar të gjithë te Milani, nëse fitojmë do jemi 1 pikë larg, nëse humbim mund të jetë një rrezik për ne. Mund të mendojmë se jemi larg, por deri në fund do të jemi aty afër. Duhet vetëm të mendojmë që të bëjmë gjërat siç po i bëjmë tani, do të jetë fusha ajo që do të japë përgjigjet.
Marushiç dhe Lazari? Janë dy lojtarë shumë të fortë dhe djem të mirë, nuk ka asgjë. Jemi miq, kush luan jep maksimumin, kush hyn pastaj jep gjithsesi maksimumin. Për mua të luaj në të majtën është pak më e vështirë, por duhet të mësohem siç kam bërë gjithmonë. Nuk është një problem, thjesht një zakon që duhet mësuar”, ka thënë ai.